fbpx
Prill 19, 2022

GERMIN ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me Fondin e Ballkanit Perëndimor

Nga Germin-1128 Shikime-Asnjë koment

GERMIN ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me Fondin e Ballkanit Perëndimor, si një nga 30 organizatat fituese nga gjashtë vendet e rajonit në kuadër të thirrjes së katërt të granteve të bashkë-financuar nga Bashkimi Europian përmes IPA - instrumentit të asistencës para-anëtarësimit.

 

GERMIN, përmes këtij partneriteti, do të zbatojë projektin “Zhvillimi i Bashkëpunimit Rajonal mes të Rinjve në fushën e Migrimit dhe Zhvillimit”. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë bashkëpunimin rajonal përmes një programi shkëmbimi për hulumtuesit e rinj me interesa kërkimore në fushën e Migrimit, Zhvillimit dhe Diasporës me organizata partnere në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

 

Sot, për të rinjtë e rajonit është më e lehtë të bëhet një program shkëmbimi në vendet e Bashkimit Europian, Turqinë apo edhe vendet e Amerikës Veriore apo Azisë se sa brenda 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Mungesa e mundësive të tilla ka ndikuar që çështje që prekin të gjithë rajonin siç është migrimi të mos adresohen nga një perspektivë më e gjerë karshi asaj nacionale. Në këtë kontekst, mungesa e komunikimit për problematika të tilla mes të rinjve të rajonit ka rritur hendekun e për bashkëpunim dhe si rrjedhojë ka kufizuar ndikimin e çfarëdo nisme në fushën e migrimit. Prandaj, ne do të mundohemi që përmes ofrimit të një programi shkëmbimi të nxisim dhe zhvillojmë bashkëpunimin mes të rinjve ne rajon në fushën e Migrimit, Zhvillimit dhe Diasporës, por jo vetëm.