fbpx
Shkurt 8, 2024

Rrugëtimi i kompanisë Intercom: Suksesi në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri

Nga Bublina Peni-625 Shikime-Asnjë koment

Që nga viti 2013, Armend Jakupi drejton kompaninë “Intercom”, e specializuar në prodhimin e këpucëve dhe uniformave të punës. Në tetor të vitit 2023, Armendi me mbështetje të GERMIN mori pjesë në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri, ku krijoi marrëveshje të reja me katër biznese me seli në Vjenë. Në këtë artikull shpaloset rrëfimin i Armendit mbi fillet e biznesit të tij, sfidat dhe përvojën nga pjesëmarrja në panairin në Austri.

Dhjetë vite më parë, Armend Jakupi nga Prizreni vuri në jetë ëndrrën e tij për të themeluar kompaninë Intercom, e cila prodhon rroba dhe këpucë të punës. Duke pasur synim cilësinë dhe inovacionin, kjo kompani nisi rrugëtimin e saj me një mision të qartë: përmes mjeteve që ata prodhojnë të ofrojnë një mjedis pune të sigurtë për të gjithë puëntorët dhe kompanitë që blejnë produktet e tyre. Kështu, në rrugën drejt suksesit, Armendi dha shembull me përkushtimin dhe zellin e tij.

Dalëngadalë, përpos prodhimit të këpucëve, kjo kompani nisi të kompletojë portofolion e saj duke prodhuar rroba të punës. Për këtë biznes nuk mungoi as eksporti i mallrave jashtë Kosovës, ku më 2019 eksporti i parë jashtë vendit u bë në Zvicër.

Armend Jakupi duke promovuar kompaninë e tij në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri.

“Filluan shkëndijat e para, morëm disa kompani vendore për t’i pajisur me rroba dhe këpucë pune, e rritëm stafin dhe krijuam në staf një ambient familjar dhe një seriozitet dhe sinqeritet ndaj klientëve tanë…”– kujton Armendi.

Megjithatë, krahas kujtimeve të bukura dhe pasionit për ta zhvilluar këtë biznes ai përmend edhe gatishmërinë për t’i përballuar sfidat që i dilnin gjatë rrugës. Në mesin e tyre ishte dinamika që sillnin modelet dhe ndryshimet e reja në treg të cilat Armendi duhej t’i përcillte në mënyrë që të zinte hapin. Kësisoj, sot kjo kompani numëron 30 punëtorë, por edhe më i madh është numri i punëtorëve të kompanive kontraktuese që punojnë me Intercom.

Impakti dhe informatat që sollën aktivitetet e Germin-it për kompaninë Intercom

Më 21 tetor 2023 Intercom me mbështetje të GERMIN dhe CARITAS-i Zviceran në Kosovë mori pjesë në edicionin e katërt të Panairit të Bizneseve Shqiptare në Vjenë të Austrisë i cili mblodhi rreth 100 biznese nga diaspora, Kosova dhe Lugina e Preshevës për takime biznes me biznes (B2B) dhe rrjetëzim.

Armend Jakupi duke diskutuar për kompaninë që ai drejton dhe produktet e saj.

Ky panair ofroi mundësi për bizneset pjesëmarrëse që të ekspozojnë dhe promovojnë produktet/shërbimet e tyre, rrjetëzim dhe eksplorimin e tregjeve të reja, si dhe shkëmbimin e njohurive dhe shfrytëzimin e ekspertizës për rritje më të gjerë të biznesit.

Në këtë edicion, GERMIN përkrahu 20 biznese nga Kosova nga sektorët e përpunimit të drurit, ndërtimtarisë, tekstilit, IT-së, përpunimit të ushqimit dhe pijeve përmes projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”.

Falë pjesëmarrjes në këtë event, Intercom ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me katër biznese që operojnë në fushën e ndërtimtarisë dhe tekstilit, të cilat kanë seli në Vjenë. Në mesin e tyre janë marrëveshjet me kompaninë “Timi Trans”, “Ekimtex”, “SH2 Schwarzdeckerei GmbH” dhe “Aurus Real Estate”. Këto bashkëpunime do të mundësojnë që Intercom të zgjerojë shtrirjen në tregje dhe sektorë të rinj.

Timi Trans është është vetëm njëra nga bizneset me të cilat Intercom ka lidhur marrëveshje, falë Panairit të Bizneseve Shqiptare në Vjenë.

“Me Germin qysh në fillimet e saj (organizatës) kam qenë gjithmonë aktiv sepse më ka pëlqyer koncepti dhe qëllimi, është i qartë dhe shumë i mirë për kompanitë por edhe për shtetin tonë gjithashtu” - shprehet Armendi.

Kësisoj, impakti i sukeshëm që solli Panairi e Bizneseve Shqiptare në Vjenë shënon një kapitull të ri në historinë e Intercom, duke i hapur kësaj kompanie rrugën për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe njohje më të thellë në tregun ndërkombëtar të ndërtimtarisë dhe tekstilit.

Armend Jakupi gjatë takimeve dhe rrjetizimeve në edicionin e 4-të të Panairit të Bizneseve Shqiptare në Austri.
<img loading=
Armend Jakupi duke diskutuar për punën e Intercom.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit "Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë" - projekti MARDI, financuar nga Caritas Switzerland in Kosovo dhe zbatuar nga GERMIN.