fbpx
Janar 17, 2023

2022 në Retrospektivë: Një vit i angazhimit të diasporës

Nga Germin-632 Shikime-Asnjë koment

Të nderuar partnerë dhe miq,

Viti 2022 përmbledh një periudhë me shumë aktivitete dhe ngjarje në funksion të forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe vendeve amë. Ne në GERMIN jemi të lumtur që falë përkrahjes suaj kemi arritur të menaxhojme gjithsej 14 projekte gjatë vitit të kaluar. Nga angazhimi i profesionistëve dhe mentorëve nga diaspora, lidhjes së bizneseve e tërheqjes së investimeve, tek lidhja e të rinjve me rrënjët e tyre, në këtë buletin gjeni përmbledhjen e momenteve kryesore të 2022.

50 të rinj u angazhuan në kompani të diasporës

50 të rinj nga 18 deri në 24 vjeç u angazhuan në 21 kompani të diasporës gjatë vitit 2022. 18 prej tyre (36%) u punësuan me kontratë pune ose vazhduan praktikën për një periudhë më të gjatë në kompani që operojnë në vendet amë apo në formë virtuale. Kjo u bë e mundur falë mbështetjes së UNICEF Kosovë, në kuadër të “Avancimit të Partneritetit me Diasporën për Fëmijët dhe të Rinjtë në Kosovë”

40 gra ndërmarrëse mentorohen nga profesionistë të Diasporës

Në periudhën prill – tetor i vitit 2022, 20 gra ndërmarrëse nga Kosova u mentoruan për fusha të ndryshme të të berit biznes nga 10 mentorë të diasporës në kuadër të projektit “Disapora për Gratë Ndërmarrëse”.

10 prej tyre ju mundësua pjesëmarrja në takime B2B në Cyrih, ku nga gjithsej 76 takime të organizuara nga GERMIN, 20 prej tyre tashmë kanë rezultuar me nisje partneriteti për eksport të produkteve nga Kosova.

12 profesionistë nga diaspora janë angazhuar në institucione publike dhe në organizata joqeveritare në Kosovë

Përmes projekteve tona, vitin e kaluar kemi angazhuar 12 profesionistë nga diaspora në institucionet lokale dhe qendrore si dhe në orgnizata joqeveritare. Tre nga ta, u angazhuan në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili implementohet nga Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë. GERMIN është partnere e KCSF në realizimin e këtij aktiviteti.

Forumi i Bizneseve të Diasporës bën bashkë mbi 400 pjesëmarrës në Prishtinë

Në muajin maj, GERMIN së bashku me Degët Europiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës dhe mbështetjen e USAID Kosovo Compete Activity organizuan Forumin e Bizneseve të Diasporës, i cili mblodhi mbi 150 biznese nga diaspora, mbi 100 biznese vendore dhe dhjetëra përfaqësues institucionesh, përfshirë Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti. Pjesëmarrësit gjithashtu vizituan kompanitë prodhuese në qytete të ndryshme të vendit.

Nis programi OriginAL: Një udhëtim për të zbuluar rrënjët

Pas lançimit në Tiranë, programi që synon të forcojë lidhjet mes gjeneratave të reja në diasporë me vendet e tyre të origjinës përmes një udhëtimi dyjavor edukativo-kulturor në vendet amë nisi edicionin e parë nga 10 deri më 22 gusht. 40 të rinj, të lindur apo rritur në diasporë, të cilët për dy javë vizituan së bashku 45 lokalitete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë. Ekipi i GERMIN ka realizuar një dokumentar 38 minutësh, që përmbledh momentet kryesore të pionerëve të programit. Edicioni i dytë synon të dyfishoj numrin e pjesëmarrësve, me qëllim të masivizimit të këtij programi në të ardhmen. 

Panairi i Bizneseve të Diasporës, Vjenë, Austri

GERMIN ka përkrahur 15 biznese nga Kosova nga sektorët e përpunimit të drurit, IT-së dhe ndërtimtarisë që të promovohen në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Vjenë, i organizuar nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës në Austri. Në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë" që mbështetet nga CARITAS-i Zviceran, në këtë panair është mbështetur edhe pjesëmarrja e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA).

Lansohet Platforma e Profesionistëve nga Diaspora

Në dhjetor të vitit të kaluar, GERMIN ka lansuar versionin testuar të platformës digjitale për Programin për Angazhimin e Profesionistëve nga Diaspora. Platforma ka për qëllim të ndihmojë angazhimin e profesionistëve të disaporës në vendet e origjinës, në mënyrë që të bëhet shkëmbimi i njohurive dhe shkathtësive në institucione publike, shoqëri civile dhe biznese private – kështu, duke u bërë një lidhje automatike mes tyre. Platforma është mbështetur nga Programi për Angazhim Qytear, i cili implementohet nga KCSF në partneritet me USAID në Kosovë, Caritasi Zviceran, USAID Kosovo Compete dhe UNDP.

Diaspora në mbështetje të agjendës së gjelbër në Kosovë

Në nëntor GERMIN organizoi gjithashtu tryezën me temë “Energjia, Ambienti dhe Diaspora e Kosovës”. Kjo tryezë ishte vazhdimësi e takimeve me profesionistë nga diaspora në fushat e lartpërmendura, pjesë e një nisme për identifikimin e tyre dhe ndërmjetësimin e angazhimit në Kosovë, mbështetur nga UNDP Kosovo. Përmbledhja e diskutimeve dhe rekomandimeve u është përcjellur institucioneve relevante gjersa janë identifikuar mbi 80 profesionistë nga diaspora në sektorët e energjisë dhe ambientit