Të premten, më 20 nëntor 2026, mbi 200 të ftuar u mblodhën në Klan Arena, në Prishtinë, për mbrëmjen filantropike të OriginAL “Një lidhje ndryshon gjithçka” dhe për të mbështetur bursat e programit për vitin 2027.
Çfarë mund të ndryshojë një udhëtim dyjavor? Për Gjovani Cinarin, i cili u rrit në Britani, udhëtimi me OriginAL ishte fillimi i një lidhjeje që e solli në Shkodër, ku u zhvendos në vitin 2025. Helga Zeneli u kthye si vullnetare për të shoqëruar grupin pasues. Giuseppe Reda, një i ri arbëresh nga Italia, vizitoi për herë të parë vendin e të parëve me OriginAL dhe më pas u kthye në Kosovë për të kontribuar në mbrojtjen e biodiversitetit në Bjeshkët e Nemuna.
“Po ti, nga je në të vërtetë?” Me këtë pyetje, të njohur për shumë të rinj të diasporës, Sihana Bejtullahu hapi mbrëmjen. Avni Mustafaj u uroi mirëseardhje të ftuarve dhe foli për punën e GERMIN-it për të lidhur shqiptarët përtej kufijve dhe brezave. Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryeministri Albin Kurti dhe Dardan Sadriu, në emër të GIZ Kosova. Sopranoja Elona Sadiku dhe pianistja Dafina Kerleshi sollën në skenë mallin për vendlindjen me “Mallëngjimi” dhe “Unë, biri yt”.
Jeta Zagragja tregoi pse familja e saj zgjodhi ta ndërtonte jetën në Kosovë dhe t’i ndihmonte të rinjtë e diasporës ta njihnin vendin nga afër. Mbrëmja ishte edhe një rast për ta falënderuar Elvin Gurin, i cili e mbështeti OriginAL që kur ishte ende një ide dhe u zotua ta mbështesë edhe për dhjetë vjet të tjerë.
Që nga viti 2022, 347 të rinj kanë marrë pjesë në OriginAL. Lirim Krasniqi foli për lidhjet që kanë lindur nga këto udhëtime dhe planet për vitin 2027. Në mbyllje të programit, Sihana Bejtullahu ftoi të pranishmit të kontribuojnë në financimin e 10 bursave, që dhjetë të rinj të tjerë të diasporës ta bëjnë këtë udhëtim. Mbrëmja vazhdoi me muzikë nga DJ La Baresha dhe me biseda mes të ftuarve.
Faleminderit donatorëve, partnerëve dhe përkrahësve që e bënë të mundur këtë mbrëmje, përfshirë GIZ Kosova, familjen Zagragja, Anchorz Up, Telegrafin dhe Skins. Faleminderit edhe alumni-ve që ndanë historitë e tyre me ne.





