Përmbledhje mbi Diasporën

Organizimi dhe Rrjetëzimi i të Rinjve dhe Studentëve në Diasporë

Organizimi dhe rrjetëzimi i të rinjve dhe studentëve shqiptarë në diasporë ka qenë dhe mbetet themeli i organizimit komunitar në diasporë dhe burim i aktivizmit për vendin e origjinës. Të rinjtë dhe studentët në diasporë luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërbreznore brenda diasporës dhe në lidhjet me organizatat e institucionet në atdhe. Megjithë këtë potencial të madh, një sërë sfidash strukturore, shoqërore dhe politike e kufizojnë aktualisht organizimin e të rinjve dhe studentëve në diasporë. Mungesa e koordinimit dhe mbështetjes institucionale, problemet në komunikim dhe barrierat e natyrës “hapësirë-kohë” e bëjnë të vështirë bashkëpunimin mes të rinjve dhe ndërtimin e rrjeteve të qëndrueshme. Kjo kufizon ndikimin që ata mund të kenë në komunitet dhe lidhjen e tyre me vendin e origjinës.

 

Sfidat Aktuale

Të rinjtë dhe studentët shqiptarë në diasporë përballen me një sërë sfidash që pengojnë organizimin e tyre të qëndrueshëm dhe rrjetëzimin efektiv. Një nga problemet më të dukshme është mungesa e strukturave të qëndrueshme në zonat ku nuk ka pasur traditë të organizimit komunitar. Megjithëse ekzistojnë lidhje ndërpersonale dhe studentët shpesh mbajnë kontakte me njëri-tjetrin, mungesa e një platforme apo entiteti të përbashkët e vështirëson koordinimin e aktiviteteve dhe projekteve. Përpjekjet individuale shpesh mbeten të fragmentuara dhe nuk arrijnë të kenë ndikimin e dëshiruar në komunitet apo në lidhjet me atdheun. Në disa raste, edhe atje ku ekzistojnë shoqata apo organizata komunitare, struktura e tyre është shpesh e dobët dhe mungesa e mbështetjes institucionale dhe financiare e përkeqëson situatën.

Në disa vende, si Zvicra, përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e komuniteteve studentore. Por në vende të tjera, është raportuar se përfaqësitë e diasporës shpesh nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në aktivitete publike, duke i lënë organizatat pa një partner institucional të besueshëm. Mungesa e mbështetjes financiare nga sipërmarrësit dhe individët shqiptarë, si dhe nga institucionet shtetërore, ka krijuar boshllëqe të mëdha në financimin e projekteve dhe aktiviteteve që do t’i shërbenin komunitetit. Kjo situatë vërehet edhe në rastin e shkollave shqipe në diasporë, të cilat shpesh funksionojnë me burime të kufizuara.

Një sfidë tjetër e rëndësishme është ndikimi i politikës në shoqatat dhe organizatat studentore jashtë vendit. Përfshirja e partive politike nga Kosova dhe Shqipëria ka krijuar një ambient polarizues dhe të fragmentuar, duke sjellë ndarje të theksuara që pengojnë zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. Shoqata të ndryshme janë shndërruar në hapësira mbështetjeje për partitë politike, duke larguar të rinjtë që duan të kontribuojnë në mënyrë të pavarur. Një shembull është shoqata në Gjenevë, anëtarët e së cilës ishin të lidhur ngushtë me një parti politike. Kjo shoqatë jo vetëm që përkohësisht i hoqi nga statuti termat “jopolitike” dhe “jopartiake”, por vazhdoi të përdorte platformat sociale të organizatës për aktivitete politike edhe pas largimit të anëtarëve. Situata të ngjashme janë raportuar në Lozanë dhe në federatën studentore shqiptare në Zvicër, ku ndarjet politike kanë penguar bashkëpunimin dhe kanë krijuar një ambient të pasigurt për organizatat që synojnë të ruajnë një qëndrim të pavarur dhe të bashkuar.

Përveç tjerash, ndarjet mes shqiptarëve nga rajone të ndryshme të kombit përbëjnë një tjetër sfidë. Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Çamëria shpesh ndihen të përjashtuar nga shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Ky ndjenjë përjashtimi vjen nga mungesa e përfshirjes së tyre në aktivitete të organizatave apo nga mungesa e mbështetjes institucionale që i adreson ata në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo sfidë nënvizon nevojën për një qasje më përfshirëse nga të gjitha palët, në mënyrë që çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes rajonale, të ndihet pjesë e një kombi të përbashkët dhe të barabartë.

 

Krijimi i një Platforme të Unifikuar

Roli i teknologjisë është një temë shumë e rëndësishme për diasporën. Një numër i madh studentësh shqiptarë janë të orientuar drejt teknologjisë së informacionit (programim, inxhinieri, etj.), dhe është në interes kombëtar që aftësitë e tyre të përdoren si zgjidhje për sfidat tona. Teknologjia mund të ndihmojë në kapërcimin e barrierave gjeografike dhe kohore. Përdorimi i platformave digjitale dhe aplikacioneve mobile mund të lehtësojë bashkëpunimin mes studentëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës.

Një shembull i mirë i organizatave që kanë krijuar platforma virtuale për të mbështetur studentët në mbarë botën është “NAYORA” – Asambleja Kombëtare e Organizatave Rinore të Republikës së Azerbajxhanit dhe Shoqata Botërore Rinore Lituaneze “Pasaulio”. Përmes këtyre platformave, këto organizata kanë ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi, duke ofruar burime edukative dhe mbështetje për të rinjtë, pa marrë parasysh se ku ndodhen. Këto iniciativa kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes studentëve dhe kanë promovuar qasje të barabartë në mundësitë arsimore globale. Edhe organizatat shqiptare kanë përdorur platforma virtuale gjatë pandemisë për aktivitete kombëtare dhe kulturore, duke i bashkuar shqiptarët në një ambient virtual. Megjithatë, teknologjia nuk është zgjidhje e vetme. Mungesa e një platforme të unifikuar për të gjithë studentët shqiptarë në diasporë mbetet një pengesë e madhe. Një aplikacion mobil i dedikuar për rrjetëzim dhe koordinim do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm për të bashkuar rininë shqiptare në mbarë botën.

 

Rekomandime

Për t’u përballur me sfidat e organizimit të të rinjve dhe studentëve në diasporë, këtu janë disa rekomandime konkrete që mund të ndihmojnë në forcimin e rrjetëzimit, bashkëpunimit dhe ndikimit pozitiv të të rinjve dhe studentëve shqiptarë në diasporë:

 

Krijimi i një Platforme të Bashkuar për të Rinjët dhe Studentët Shqiptarë në Diasporë: Një nga sfidat kryesore të identifikuara është mungesa e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që bashkon përpjekjet e të rinjve. Prandaj, është e rëndësishme të krijohet një platformë e unifikuar që do të shërbejë si forum për të gjitha shoqatat e të rinjve dhe studentëve shqiptarë. Kjo platformë duhet të:

    • Lejojë ndarjen e përvojave dhe burimeve.
    • Krijojë hapësira për zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta që forcojnë lidhjet akademike, sociale dhe kulturore.
    • Sigurojë mundësi për anëtarët të takohen, edhe gjatë udhëtimeve në një qytet.

 

Zhvillimi i një Aplikacioni Mobil dhe Platforme Digjitale për Rrjetëzimin e të Rinjve Shqiptarë në Diasporë: Për të kapërcyer barrierat gjeografike dhe kohore, një aplikacion mobil mund të shërbejë si zgjidhje efektive për të bashkuar të rinjtë shqiptarë në një hapësirë të përbashkët. Ky aplikacion duhet të ofrojë:

    • Regjistrim të lehtë për studentët dhe të rinjtë shqiptarë në mbarë botën.
    • Hapësirë për ngjarje virtuale, diskutime tematike dhe ndarje përvojash.
    • Mundësi për rrjetëzim profesional, akademik dhe shoqëror.
    • Mundesi që lejojnë bashkëpunimin në projekte të përbashkëta, ndarjen e burimeve dhe ndërtimin e lidhjeve të forta me vendet e origjinës.

 

Ruajtja e Pavarësisë së Organizimeve nga Ndikimi Politik: Një nga problemet kryesore të identifikuara është ndërhyrja e partive politike, e cila ka çuar në polarizimin e shoqatave dhe dobësimin e bashkëpunimit mes të rinjve. Për ta parandaluar këtë, rekomandohet që:

    • Statutet e organizatave studentore duhet të theksojnë qartë neutralitetin politik dhe të ndalojnë ndërhyrjen politike.
    • Duhet krijuar mekanizma mbikëqyrjeje nga organizatat amë për të garantuar pavarësinë e shoqatave dhe organizatave të reja.
    • Institucionet shtetërore dhe diplomatike duhet të ofrojnë mbështetje, duke ruajtur një qëndrim neutral politik ndaj këtyre organizatave.

 

Rritja e Përfshirjes së Shqiptarëve nga të gjitha Rajonet (Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Çamëria): Për t’u përballur me ndarjet dhe ndjenjat e përjashtimit mes shqiptarëve nga rajone të ndryshme, është thelbësore që organizatat të jenë gjithëpërfshirëse. Kjo mund të arrihet duke:

  • Krijuar rregulla të brendshme që promovojnë diversitetin dhe përfshirjen.
  • Siguruar mundësi të barabarta për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh prejardhjen rajonale.
  • Nisur iniciativa të veçanta për të inkurajuar pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Çamëria në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Nxitja e Lidhjeve Akademike përmes Programëve Ndërkombëtarë si Erasmus+: Programet ndërkombëtare si Erasmus+ mund të luajnë një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes studentëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve në vendet e origjinës. Për këtë:

Shqipëria dhe Kosova duhet të intensifikojnë përpjekjet për të përfshirë më shumë studentë shqiptarë në këto programe.

      • Shoqatat e studentëve në diasporë mund të krijojnë partneritete me universitetet lokale për të promovuar mundësitë e shkëmbimeve akademike.

 

Hartimi i një Manuali për Organizatat e Reja: Themelimi i organizatave të reja shpesh përballet me sfida të shumta. Për të lehtësuar këtë proces, mund të krijohet një manual ose udhëzues që përmban:

    • Rekomandime për strukturimin dhe menaxhimin e shoqatave.
    • Udhëzime për aksesimin e mbështetjes financiare dhe burimeve.
    • Propozime për mënyra bashkëpunimi midis shoqatave ekzistuese dhe atyre të reja.

 

Rritja e Ndërgjegjësimit Kombëtar për të Rinjët në Diasporë: Për të shmangur ndarjet dhe ndjenjën e “margjinalizimit,” është thelbësore që çdo organizatë, institucion dhe individ të punojë për të promovuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Aktivitetet dhe projektet duhet të theksojnë vlerat dhe traditat e përbashkëta, duke nxitur një unitet më të madh mes shqiptarëve.

Këto rekomandime ofrojnë një qasje të plotë për të adresuar sfidat dhe për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve shqiptarë në diasporë. Përmes bashkëpunimit, organizimit dhe mbështetjes së qëndrueshme, këto iniciativa mund të kenë një ndikim të fuqishëm dhe afatgjatë në zhvillimin e komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Bashkautorë:

Arbër Gashi, Përfaqësues i Shoqatës “Shoqëria e Re”, Zvicër.

Andi Zhaveli, Kryetar i Organizatës së Studentëve Shqiptarë “Vlera,” Belgjikë.

Ky artikull u be me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëri Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor,” i zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM), dhe financuar nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme (NMFA). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ministrisë Norvegjeze të Punëve të Jashtme (NMFA).

Të fundit

Lajme të ngjashme

Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.