fbpx
Janar 27, 2022

GERMIN përkujton viktimat e Holokaustit

Nga Germin-1031 Shikime-Asnjë koment

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, meqë rast përkujtohet miliona viktima që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

27 janari është ditë ndërkombëtare për të përkujtuar gjashtë milionë viktima hebreje të vrara gjatë viteve 1933-1945. Asambleja e Përgjithshme OKB-së më 1 nëntor 2005 e përcaktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.

Në këtë vit tema kryesore që OKB ka zgjedhur për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit është “Kujtesa, Dinjiteti dhe Drejtësia”.

“Përkujtimi dhe edukimi për Holokaustin është një imperativ global për dekadën e tretë të shekullit XXI. Shkrimi i historisë dhe akti i kujtimit sjell dinjitet dhe drejtësi pë rata që autorët e Holokaustit synonin që t’i zhduknin. Ruajtja e të dhënave historike, kujtimi i viktimave, sfidimi i shtrembërimit të historisë i shprehur shpesh në antisemitizmin bashkëkohor, janë aspekte kritike të kërkimit të drejtësisë pas krimeve mizore”, shkruhet mes të tjerash në uebfaqen zyrtare të OKB-së.

Rezoluta 60/7 e OKB-së e përcaktoi këtë datë si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe në të njëjtën kohë nxit të gjithë anëtarët e OKB-së që të nderojnë kujtimin e viktimave të Holokaustit. Në mënyrë që një gjenocid i tillë të mos përsëritet në të ardhmen, OKB-ja inkurajon vendet anëtare që të zhvillojnë programe edukative rreth historisë së Holokaustit.

Kjo rezulutë dhe Dita Ndërkombëtare e Holokaustit ishte iniciativë nga shteti i Izraelit. Ministri izraelit i Punëve të Jashtme atëkohë, Silvan Salon, ishte në krye të delegacionit të Izraelit në Kombet e Bashkuara.

Thelbi i kësaj dite është i dyfishtë: njëra ka për qëllim përkujtimin e të masakruarve gjatë Holokaustit dhe tjetra në edukimin e brezave të ardhshëm për tmerret që kanë ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe shqiptarët të cilët kanë strehuar shumë hebre.