STAY CONNECTED

Cicërrimat e fundit

FOLLOW US ON TWITTER

Abonohu dhe prano njoftimet e fundit

Would you like to receive our newsletter occasionally? To be notified about our new activities we’re working on? Subscribe to our newsletter and stay up-to-date.


Shëno e-mail

… and much, much, more …

CONNECT

MBAHET TRYEZA “VOTIMI NGA JASHTË VENDIT – 2019”

Mars 3, 2020/0/0
Home / Shkrimet / LAJME / MBAHET TRYEZA “VOTIMI NGA JASHTË VENDIT – 2019”

Me 3 mars 2020, organizata GERMIN organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Votimi nga Jashtë Vendit”, ku u publikua Analiza e Votimit nga Jashtë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës – 2019.

Në këtë ngjarje ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kuvendi i Kosovës, Avokati i Popullit, si dhe përfaqësues të partive politike, u theksuan problemet e deritanishme në procesin e votimit nga jashtë të cilat kanë ndikuar që të kemi një numër të vogël të votuesve nga jashtë/diaspora, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës dhe kanë të drejtë vote. 

Duke prezantuar tematikën e kësaj tryeze, Sihana Bejtullahu nga GERMIN theksoi që pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje përmes votës është shumë e rëndësishme për shkak se, ndër të tjera, ndikon në rritjen e legjitimitetit demokratik të të zgjedhurve duke pasur parasysh se janë mbi 350 mijë qytetarë me të drejtë vote që aktualisht jetojnë jashtë vendit. Poashtu, për një vend si Kosova, përfshirja e diasporës në proceset politike është mjet i rëndësishëm për të mbajtur të forta lidhjet me qytetarët jashtë vendit. Votimi i diasporës është edhe mjet shtesë për ruajtjen e përkatësisë kombëtare dhe forcimin e identitetit etnik. Ndër aspektet e ndryshme të vendit të origjinës në të cilin diaspora duhet të përfshihet ngushtë, pjesëmarrja politike është mbase njëra nga më të rëndësishmet. Në këtë drejtim, votimi nuk është vetëm forma më e rëndësishme e pjesëmarrjes politike, por edhe mënyra më e mirë për t’i bërë zërat e diasporës të dëgjohen, shtoi ajo.  

Ndërkohë, Liza Gashi, drejtoreshë e Organizatës Germin, duke prezantuar të gjeturat e analizës, potencoi që përkundër rritjes së numrit të votuesve nga jashtë, ky proces vazhdon të jetë i ndërlikuar dhe me pengesa,  gjë që ndikon në numrin e vogël të votuesve nga jashtë krahasuar me numrin e madh të pjesëtarëve të diasporës.

Sihana Bejtullahu, Drejtoreshë e Programeve në Germin, gjatë prezantimit të Analizës së Votës nga Jashtë

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, theksoi se e drejta e votimit nga jashtë është një e drejtë kushtetuese, për ushtrimin e së cilës institucionet përkatëse duhet të ofrojnë mundësitë e nevojshme. Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka përcjellur rekomandimet për përmirësimin e këtij procesi në një raport të detajuar të vitit 2018, drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Fitore Pacolli, deputete dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, duke ju referuar projektligjit për  ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet në pjesën e votimit nga jashtë, potencoi se shumica e amandamenteve të parashtruara janë aprovuar nga komisioni për legjislacion, përfshirë rekomandimet nga raporti i Avokatit te Popullit dhe Organizatës Germin. Ajo theksoi se ndryshimet e nevojshme që janë propozuar, besojnë që qeveria e re do t’i kalojë gjatë mandatit të saj. Më tutje, Znj. Pacolli u shpreh se “Gjatë diskutimeve që kemi pasur ka qenë problematike të vendoset afati se deri kur duhet të pranohen pakot, dhe tani duhet te gjindet një model i ri se si të zgjidhet ky problem.  Pas problemeve që kishim në Zgjedhjet 2019, që një pengesë e tillë të mos përsëritet, ne mendojmë që duhet të mundësojmë votimin në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës sic janë ambasadat dhe konsullatat. Në vendet ku Kosova nuk ka misione diplomatike, të mundësohet votimi tek misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë përmes një marrëveshjeje ndërshtetrore.”

Yll Buleshkaj nga KQZ, shtoi se OJQ-të me përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor të vëzhgimit gjithmonë rrisin transparencen dhe kredibilitetin e rezultateve të KQZ-së. Ai ka përmendur organizatën jo-qeveritare Germin si një pasuri që merret me këtë çështje. Poashtu, ai më tej potencoi që Kosova është një ndër 100 e disa shtetet që ka forma të votimit nga jashtë, kurse për ofrimin e mundësisë së votimit në të dy llojet e zgjedhjeve: ato qendrore dhe lokale është në mesin e vetem disa dhjetera shteteve që ofrojnë një gjë të tillë pjesëtarëve të diasporës së tyre.
Z. Buleshkaj shtoi se “Ka qenë problematik afati se kur duhet te pranohen pakot, dhe tani është koha që të gjindet një model i ri se si te zgjidhet ky problem, në zgjedhjet e 2019 kjo çështje ka qenë një problem i madh dhe ne duhet të mundësojmë votimin në ambasada dhe konsullata.”  Ndërkohë, për idenë e krijimit të sistemit  elektronik, ai tha:
“Rreziku nga sistemi elektronik i votimit, mund të jetë në ndërhyrje të mundshme dhe jo harmonizim të listave të votimit në vend dhe ato me postë, e rrjedhimisht lë mundësinë për manipulime.”

Fitore Pacoli, anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Valon Murati, ish-Ministër i Diasporës, në fjalën e tij tha se nevoja që të gjinden metoda të reja efikase të përfshirjes së Diasporës në zgjedhje është shumë evidente. Ai beson se strukturat partiake në Diasporë shkaktojnë dëm në zhvillimin e vendit tonë dhe poashtu krijojnë përçarje ndërmjet pjesëtarëve të Diasporës. Ai, si zgjidhje të këtij problemi, ka përmendur ndryshimin e mundshëm të kushtetutës së Kosovës e cila do t’i mundësonte diasporës vende të rezervuara në Kuvend. Ai poashtu ka potencuar që në gjetjen e zgjidhjës së përfshirjes dhe procesit të votimit më të lehtë, të mos shikohen kostot eventuale të këtij procesi pasi që vetë Diaspora është një nga faktorët më të rëndësishëm ekonomik të vendit tonë.

Duke marrë parasysh rëndësinë e diasporës për Kosovën, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve jashtë vendit në vendimmarrje, Organizata GERMIN në Analizën e publikuar në tre  gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, ndër tjerash, jep këto rekomandime:

  • VOTIMI FIZIK NË MISIONET DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe të mundësohet votimi fizik në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës. Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit gjatë legjislaturës së 6-të ka hartuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-073 Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar Me Ligjin Nr. 03/L-256, ku parashihet votimi në misionet diplomatike dhe konsullore  të Kosovës për qytetarët jashtë vendit, mirëpo ky projektligj nuk ka kaluar ende për lexim dhe votim në Kuvend. Miratimi i këtij projektligji do të zgjeronte mundësitë e ushtrimit të të drejtave zgjedhore për qytetarët jashtë vendit.

  • ZGJATJA E AFATIT PËR ARRITJEN E ZARFEVE ME FLETËVOTIME

Aktgjykimet e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës A.A.-U.ZH.nr.20/2019, datë 30.08.2019, dhe A.A.-U.ZH.nr.21/2019, datë 05.11.2019, e kanë bërë pothuajse të pavlerë Nenin 96.2 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Nenin 4.4 të Rregullës Zgjedhore Nr. 03/2013 për arritjen e votave nga jashtë 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Rrjedhimisht, afati për pranimin e votave nga jashtë duhet të zgjatet deri në 5 apo 7 ditë edhe pas ditës së zgjedhjeve, me kusht që data e dërgimit të jetë para ditës së zgjedhejve, e cila mund të vërtetohet përmes vulës postare.  

  • DËRGIMI I POSTËS NË AMBASADA DHE KONSULLATA TË REPUBLIKËS

Përveç mundësisë së votimit fizik, zgjerimi i mundësive për votim për pjesëtarët e disaporës duhet të përfshijë edhe mundësinë e dërgimit me postë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendin rezident të qytetarëve jashtë vendit. Kjo pasiqë në disa vende distanca mes vendbanimit dhe misionit diplomatik dhe konsullor të Kosovës është e madhe, prandaj duhet të krijohet mundësia që vota me postë të dërgohet në misionin diplomatik/konsullor në të njëjtin shtet, krahas mundësisë për dërgimin e postës në adresë të KQZ-së. Votat përmes postës arrijnë shumë më shpejtë brenda territorit të një shteti. Ndërsa të njëjtat, misioni diplomatik apo konsullor mund t’i dërgojë me postë diplomatike në adresë të KQZ-së. Kështu zgjerohen mundësitë e votimit dhe përshpejtohet procesi.

  • ZHVILLIMI I NJË PLATFORME ELEKTRONIKE PËR APLIKIM PËR REGJISTRIM NË UEB-FAQEN E KQZ-SË

Formave aktuale të aplikimit për regjistrim si votues nga jashtë vendi, rekomandohet t’u shtohet edhe një platformë elektronike në uebfaqen e KQZ-së, e cila do të mundësonte aplikimin online për regjistrim (ueb-based). Një platformë e tillë do të: (1) lehtësonte dhe thjeshtësonte në krahasim me formën aktuale manuale duke qenë se nuk do të kishte nevojë për printim/plotësim të formularit; (2) zvogëlonte mundësitë e gabimeve në futjen e të dhënave, duke qenë se ajo mund të konfigurohet që të mos pranojë të dhënat e gabuara dhe aplikuesit do të mund të korrigjonin të dhënat e tyre; (3) mënjanonte mbingarkesën e e-mailit zyrtar të KQZ-së, i cili ka qenë problem në zgjedhjet e kaluara.

  • REGJISTRIMI I PLOTË I QYTETARËVE QË JETOJNË JASHTË VENDIT

Regjistrimi i pjesëtarëve të diasporës nga ish-Ministria e Diasporës nuk ka arritur të mbledhë të gjitha të dhënat e qytetarëve jashtë vendit. Mirëpo edhe si i tillë, ky regjistër nuk është përdorur deri më tani nga ana e KQZ-së për krijimin e një liste të veçantë të qytetarëve jashtë vendit, e cila mund të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme. Poashtu, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të bashkëpunojë me Komisionin Qendor të Zgjedhjeve që të vendos një kod identifikues për shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit në regjistrin civil, sikurse që ekziston kodi për shtetasit që nxjerrin dokumente të Republikës së Kosovës në ambasada dhe konsullata jashtë vendit.

  • VOTIMI VETËM ME DOKUMENTE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Për të eliminuar çfarëdo dyshimi apo manipulim të mundshëm, vetëm dokumentet valide të Republikës së Kosovës duhet të pranohen si të vlefshme nga KQZ për votim jashtë vendit. Edhe kjo çështje është paraparë të ndryshohet me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Gjithsesi, kjo duhet të realizohet duke vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe Administratën Publike (MPBAP), pasi siç e kemi cekur më lart, mungesa e posedimit të dokumenteve valide të Republikës së Kosovës nga pjesëtarët e diasporës apo votuesit potencial nga jashtë është një nga pengesat në pjesëmarrjen në zgjedhje. Prandaj, pajisja dhe përditësimi me dokumente valide të Republikës së Kosovës për qytetetarët jashtë vendit është çështje e cila qëndron në  raport kauzal me rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Publikimi i kësaj analize u realizua me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC)  në Prishtinë. 

Navigation
SQ
EN SQ