fbpx
Nëntor 25, 2022

Nga malet e Kosovës në tregjet botërore

Nga Germin-1097 Shikime-Asnjë koment

Në kuzhinë, nga përbërësit kryesorë në përgatitjen e ëmbëlsirave, akulloreve, salcave të ndryshme dhe reçelit, janë frutat e malit. Përpos shijes së mrekullueshme dhe ngjyrave tërheqëse, sipas “BBC Good Food” frutat e malit përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve si sëmundjet e zemrës, kancerit, dhe diabetit të tipit 2.

Në vendin tonë, shijen dhe cilësinë e frutave të malit e ofron Besiana G, me besnikëri që nga viti 1991. Besiana G merret me grumbullimin, përpunimin dhe shitjen e frutave të malit, bimëve-mjekësore aromatike si dhe pemëve të tjera të imta si: mjedrave të kultivuara, dredhëzave të kultivuara (senga) dhe atyre të egra, manaferrave, boronicave, dëllinjave, kaçave, kërpudhave të malit, etj.

Çdo nisje biznesi fillon me një ide të thjeshtë por ambicie e ëndërr të madhe. Historiku i nisjes së një biznesi si Besiana G, ka lindur në një periudhë ku në Kosovë shumë pak persona guxonin të ëndërronin e aq më tepër të nisnin gjithçka nga fillimi. Prapa secilës ide qëndron një person që dikur kishte një vizion të qartë se çfarë dëshiron të arrijë.

“Ideja e Besiana G lindi nga Feride Alija pronarja e kompanisë në vitin 1991 kur u mundësua hapja e kompanive private” tregon me shumë krenari Visar Alija menaxheri i shitjeve. 

Zonja Alija, ka qenë e punësuar në një kooperativë shtetërore dhe kur u mundësua që të hapen kompanitë private, ajo menjëherë e kuptoi se duhet të veprojë.

Qysh atëherë Besiana G posedon kapacitete grumbulluese e përpunuese në Zonën Industriale, Prelez, Novobërdë e Shtërpcë, me kapacitet te ruajtjes -20°C prej 2000 ton dhe me një kapacitet prej 40 ton ngrirje të shpejtë të produkteve për 24 orë. Aty punojnë me shumë përkushtim 40 gra të zellshme.

Besiana G bën edhe eksportimin e frutave të malit në shumë vende. Frutat e malit të kësaj kompanie u bënë të qasshme edhe për tregun jashtë Kosovës prej vitit 2000, duke filluar së pari me Serbinë; kurse tash, Besiana G ka zgjeruar treguan e jashtëm në shumë shtete të Bashkimit Evropian e deri në Kanada. Me 100% eksport ndërkombëtar, Besiana G, në të ardhmen e afërt, e ka qëllim Gjermaninë dhe Italinë për zgjerim të eksportit. I gjithë ky prodhim për eksport bëhet në Kosovë me standardet e duhura të higjienës, sigurisë ushqimore e cilësisë. 

Besiana G ofron një gamë të gjerë produktesh, nga produktet e freskëta, të ngrira e të thara. Që të gjitha kanë ndikime pozitive në shëndet dhe vlera të larta ushqimore. Sa për ilustrim, këto produkte bio ndihmojnë në përmirësimin e sistemit të tretjes, zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve në zorrë të trashë, si dhe reduktojnë presionin e gjakut. Dietës tuaj ditore s’duhet t’i mungojnë frutat e malit. 

Besiana G ka ndërmend të vazhdojë punën që po e bën me dedikim dhe përgjegjësi, duke i ofruar të mirat e tokës pjellore të Kosovës edhe për vendet e tjera në Evropë, Amerikë e Kanada. Drejt misionit të një bote plot shije.

*Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë -MARDI” që zbatohet nga GERMIN  Caritas Switzerland in Kosovo në partneritet me GERMIN.