fbpx
Maj 27, 2022

Përmbledhje nga Dita e Parë e Forumit të Bizneseve të Diasporës 2022

Nga Germin-469 Shikime-Asnjë koment

Sot në ora 10 është bërë hapja zyrtare e Forumit të Bizneseve të Diasporës. Ky forum organizohet nga Degët Evropiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe USIAD Kosovo Compete Activity në bashkëpunim me organizatën GERMIN.

Gjatë ditës së sotme bizneset kosovare kishin mundësi të takoheshin me një numër të madh të bizneseve të diasporës dhe të huaja, me qëllim të rrjetëzimit për bashkëpunime të mundshme.

Hapjen e forumit e bëri Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.  Ai u shpreh i kënaqur të bëjë hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës por pati edhe një thirrje për diasporën e Kosovës.

“Thirrja jonë është që të kontribuohet për Kosovën, tashmë jo duke u sakrifikuar por duke kontribuar”.

Kurti shtoi që qeveria është duke punuar që diaspora të jetë pjesë integrale e ekonomisë dhe kulturës në Kosovës.

“Jemi në situatën që kemi nevojë për shkathtësi, dije dhe punën e mërgatës tonë dhe jo vetëm për financa”, shtoi Kurti.

I pari i ekzekutivit shtoi që Kosova është vendi i duhur për të bërë investime, prandaj i ftoi bizneset e diasporës që të investojnë.

Folësja e dytë ishte Drejtoresha e USAID Kosovo, Zeinah Salahi. Ajo u shpreh e lumtur që të bëjë hapjen zyrtare të forumit që u jep mundësi përfaqësuesve të bizneseve lokale dhe nga diaspora si dhe qeveritarëve, që të takohen me njëri – tjetrin.

“Ne të gjithë punojmë drejt një qëllimi të përbashkët e ai është që të krijojmë mundësi për biznese dhe njerëzit e Kosovës”.

Salahi, tha që Kosova dhe diaspora e Kosovës njihen për përkushtimin që kanë ndaj vendit dhe këtë e tregojnë përmes remitancave. Por ajo shtoi që do ishte mirë që këto remitanca të drejtoheshin ndryshe.

“Imagjinoni që në vend që remitancat të shfrytëzoheshin për konsum, të shohim një rikthim domethënës në ekonominë e Kosovës”.

Folës tjetër ishte edhe Kryetari i Nderit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani.

Ai tha që roli i diasporës shqiptare për zhvillimin e vendeve tona, është kyç. Sipas tij, diaspora paraqet një kapital jo vetëm ekonomik por edhe social dhe kulturor.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Yll Blakaj, tha që takimet e tilla kanë qëllimin parësor të lidhjes së bizneseve të diasporës me ato të Kosovës.

Pas fjalimeve ishin pesë kompani vendore dhe ndërkombëtare që shpalosën përpara qindra të ftuarve veprimtaritë e kompanive përkatëse.

Në ditën  e parë të forumit u mbajt edhe një panel diskutimi me: Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, Kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, Kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin si dhe Kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj. Tema e panelit ishte “Investimet e Diasporës në Komuna”.

Kryetarët e komunave patën mundësi që të shpalosin idetë dhe planet që kanë komunat përkatëse sa i përket investimeve nga diaspora. Përveç prezantimeve ata patën mundësi edhe t’u përgjigjen pyetjeve nga audienca.

Kurse orët e fundit të forumit ishin të parapara për takimet B2B në mes të bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës dhe të huaja. Mbi 150 biznese nga diaspora dhe 100 biznese kosovare patën mundësi që të shpalosin veprimtaritë e tyre me qëllim të shtrirjes dhe mundësisë për eksport.

Gjatë ditës së nesërme do të organizohen vizitat tek kompanitë kosovare për pjesëmarrëist nga diaspora. Vizita do të fillojë në kompaninë Daakonn në Ferizaj dhe ceremonia përmbyllëse do të jetë tek Lidhja e Prizrenit në Prizren.