Nëntor 7, 2020

Mbahen takimet për Shëndetësi në kuadër të “Shkëmbimeve me Diasporën mbi Reagimin ndaj COVID-19”

By Germin-208 Views-No Comment

Me 04 nëntor 2020, është mbajtur takimi i parë virtual me vendim-marrës vendorë dhe përfaqësues nga fusha e shëndetësisë në kuadër të projektit “Shkëmbimet me Diasporën mbi Reagimin ndaj COVID-19”.

Këtë takim, e hapi z. Arbnor Mjeku nga organizata Germin, i cili foli lidhur me misionin e organizatës dhe qëllimin e organizimeve të këtij takimi në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert.

Lidhur me detajet e bashkëpunimit foli edhe znj. Mejreme Asllani nga Fondacioni Friedrich Ebert e cila tregoi për punën e këtij fondacioni dhe specifikisht programit Kosova që duam, i cili përmes projekteve të ndryshme është munduar të ketë ndikim pozitiv në shoqëri, e në veçanti gjatë kohës pasi u shfaq pandemia që të krijojë platforma te cilat ndihmojnë në tejkalimin e saj. 

Dr. Afërdita Spahiu Shllaku, doktoreshë nga Komuna e Gjakovës, tregoi që në kohët e fundit, kjo komunë, sikurse në çdo komunë tjetër, ka pasur një rritje të numrit të infekuarve. Ambulanta e cila është hapur në qendër të këtij qyteti, pranon pacientë që janë të konfirmuar me COVID-19 me terapi intra-muskulare ose intra-venoze, mirëpo mjekët nuk janë të mbrojtur mjaftushëm me paisje mbrojtëse dhe poashtu ka mungesë të barnave esenciale. Në këtë komunë deri më tash janë të nxënë 43 shtretër ndërsa kapaciteti i plotë është deri në 100 shtretër mirëpo ka mungesë të furnizimit me oksigjen.

Znj. Arjeta Maka, nga Gjilani informoi pjesëmarrësit se kjo komunë me grupin e vullnetarëve është munduar në çdo kohë dhe mundësi që të jenë afër qytetarëve dhe poashtu ka qenë komuna e parë që ka krijuar shtabin emergjent. Ajo potencoi që ky shtab ka marrë informacionet nga OBSH dhe IPKSHPK dhe pastaj janë krijuar baza me të dhena për të mbuluar nevojat e qytetarëve. Ky shtab ka pranuar ndihmë edhe nga personat nga diaspora që kanë dhuruar donacione. Ky grup i vullnetarëve ka shpërndarë maska, dezinfektues etj. dhe ka zhvilluar aktivitetet ku ka ndihmuar komunitetet, institucionet etj. Znj. Maka, poashtu ka potencuar që Diaspora mund të ndihmojë me dërgimin e shtretërve dhe respiratorëve, aparate për fotografime, rentgene etj.

Dr. Art Deva, potencoi që qysh prej fillimit të pandemisë me datë 21 mars, ai ka qenë i angazhuar si vullnetar tek IKSHP dhe për momentin vullnetarët janë duke u angazhuar në qendrën e thirrjeve. Sipas tij, ka pasur raste kur janë pranuar deri në 500 telefonata në ditë, qoftë për pyetje për udhëzim, për kontrolla, simptoma, qendra të testimeve etj. Ai tregoi që tash e një kohë angazhohet në Klinikën Infektive dhe që në këtë klinikë nuk ka mungesë të mjeteve por të stafit. Në disa prej komunave janë krijuar qendrat ku ipen terapitë për COVID, mirëpo transporti i pacientëv nuk është i rregulluar dhe ndodh që me rastin e transportimit të tyre krijon rrezik që të infektohen edhe të tjerët andaj nevojitet krijimi i disa ekipeve mobile. Në disa komuna, funksionojnë ekipe mobile që trajtojnë pacientët pozitiv, mirëpo në shumicën e komunave nuk ekziston një gjë e tillë. Riaktivizimi i shtabeve emergjente dhe ekipeve mobile, do të ndihmonte në uljen e rrezikut të shpërndarjes. Numri i të infektuarve dhe vdekshmërise është e vërtetë qe do te rritet në periudhën e ardhshme sikurse në muajin korrik dhe gusht për shkak të valës së dytë.

Dr. Gani Bajraktari, theksoi që COVID 19 ka krijuar më shumë probleme anësore tek pacientët të cilët kanë probleme tjera përcjellëse si p.sh me probleme të zemrës, diabet, e sëmundje të tjera infektive, janë neglizhuar andaj ka shkaktuar një situatë të rëndë në shëndetësinë e Kosovës. Për momentin në Kosovë është nje mbyllje e tepruar, dhe shumica nga ne do të infektohemi me këtë. Për fat të mirë nuk kemi shumë moshë të shtyer në vendin tonë, andaj e kemi kaluar më lehtë covid-in, se sa vendet tjera të cilët kanë moshe mesatare më të shtyer të popullsisë. Per momentin ka më shumë njerëz të cilët janë infektuar dhe kanë kaluar infektimin. Pacientet të cilët janë trajtuar mirë, kanë një mundësi shumë të madhe të shpëtimit, kurse ata të cilët janë neglizhuar, kanë pësuar me vdekje. Në popullsi ekziston paniku që njerëzit mund ta marrin COVID-19 kur shkojnë në spitale, ambulanta etj për kontrolle të zakonshme. Një fakti tjetër shumë i keq është që në dëftesat e vdekjes të shumë personave, gabimisht shënohet që shkaktar është COVID-19, pasi që si faktor kryesor janë sëmundjet e mëparshme e jo virusi në fjalë. Sipas dr. Bajraktari, në Kosovë, maskat dhe dorëzat nuk përdoren mirë dhe faktikisht ndikojnë në shpërndarje edhe më të madhe të virusit. Ai poashtu potencoi që dëmet kolaterale janë më të rënda nga COVID-19 se sa dëmet e drejtpërdrejta nga ky virus tek të infektuarit. Numri i pacienteve të cilët si shkak të vdekjes kishin infraktin ka rënë deri me 80% dhe është artificiale, pasi që të tillët janë futur në listën e pacientëve të cilët si shkaktar të vdekjes e kishin të evidentuar pandeminë COVID-19.

Z. Amarildo Ceka potencoi që në Shqipëri nuk ka pasur trajnim adekuat të pacientëve dhe shërbyesve mjekësor. Po ashtu nuk janë informuar sic duhet dhe sa duhet.

Dr. Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës, tregoi që në Kosovë sistemi i shëndetësisë nuk është në gjendje të mirë, i pa përgatitur për situaten që gjendemi tash. Për shkak të gjendjes së rënduar në sistemin mjekësor, edhe mjekët janë në një pozitë mjaft të keqe për të reaguar. Po ashtu është e rëndësishme të bëhet një kolegjium multidisiplinor dhe të bëhet një analizë se si është vepruar deri me tash, në mënyrë që të marrim mësime nga rrugëtimi deri me tash. Ne kemi ofruar modele si odë, si p.sh Italinë, që të nxjerrim një algoritëm të menaxhimit të pacienteve. Për sa i përket terapisë, gjendja është e rëndë për shkak se anti-viralet nuk janë të mjaftueshëm në tregun kosovar. Në sektorin privat janë rritur cmimet e terapive, brenda disa ditëve për qindra euro për medikamentet e nevojshme. Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme, dhe edhe ato që i ka, kanë filluar të dëmtohen. Në Kosovë janë infektuar 618 mjekë deri më tash. Anestiozologet dhe infektologet, janë infektuar dhe nëse llogaritet se 7 anestiziologë janë infektuar atëherë duhet të llogarisim qe ata që janë për trajtim urgjent, dhe për 14 pacientë, do të pësojnë nga mungesa e këtyre anestiziologeve. Andaj Kosova nuk ka nevojë shumë për raspiratorë, shtretër etj., por problemi kryesor qëndron tek kapacitetet njerëzore, andaj aty duhet të fokusohemi. Ai theksoi që me diasporën tonë, të organizuar përmes shoqatave dhe odave, ka filluar në bashkëpunim dhe komunikim.

Në panelin e dytë më 05.11.2020 kishte ekspertë shëndetësor shqiptar që veprojnë në disa shtete të ndryshme të zhvilluara si p.sh.: Italia,Sh.B.A, SingaporI, Gjermania, Hungaria, Kanadaja, dhe Franca.

Ky takim u hap nga z. Amarildo Ceka, i cili e moderoj takimin dhe shpalosi shkurtimisht detajet dhe qëllimin e këtij takimi virtual. Me pas gjithësecili nga pjesëmarrësit shprehën experiencën e tyre lidhur me menaxhimin e COVID-19.

Dr.Hektor Grazhdani, (zv. President i Shoqatës së mjekëve në Itali) potencoi që cështja e numrit të rasteve në Itali është në rritje si dhe ka humbur ndjekja e rasteve si rezultat i rritjes së shpejt të tyre. Po ashtu tek cështja e testimit,  ka vonesë të rezultateve deri në 7 ditë. Dr. Grazhdani poashtu përmendi faktin që tamponet testuese janë me numër të vogël dhe nuk mjaftojnë për të gjithë. Me rregullin e tanishëm në Itali kush rezulton pozitiv, pas 2 jave duhet të ritestohen para se të dalë nga izolimi mirëpo pastaj rezultatet ka raste që vonohen deri në 7 ditë. Ai propozon që të mos ndiqet kriteri dy javë izolim plus ritestim pasi kjo shkakton efekt negativ tek pacientet në aspektin psiqik. Duhet kaluar tek masat praktike dhe në rastet kur personat janë me shenja klinike mund të bëhet diagnoza pa test me saktësi deri në 90%.

Ai poashtu theksoi rëndësinë e kontaktimit dhe komunikimit me pacientet e izoluar me simptoma te lehta ose mesatare, së paku një herë në javë, që të qetësojë pacientet dhe tu tregojnë që ata me shënja te lehta, mund ta kalojnë lehtë këtë virus. 

 

Dr. Arianit Iljazi, konkretisht analizoj masat që duhet ndërmarrur për detektimin e hershëm dhe se si duhet përkujdesur më parë, në mënyrë që të kemi një imunitet më të përgatitur për t’i kaluar me lehtë virozat. Marrja e Zinkut, suplementeve qe nuk gjendet lehtë në natyrë, poashtu dhe Vitamina D, Vitamina C dhe gjumi i shëndetshëm. Sipas tij, shumica e familjeve duhet të posedojnë oksiometër, dhe kontrollet e kohë pas kohëshme ndihmojnë. Rëndësi të madhe ka edhe aktiviteti fizik i cili duhet të vazhdojë, sepse mbyllja në shtëpi dhe mungesa e aktiviteteve ka ndikuar më shumë se sa virusi vetë. 

 

Dr. Ilda Hoxhaj, shprehu shqetësimin mbi rritje e numrit të të infektuarëve në itali, ku tani në kohën e valës së dytë të pandemisë numri po shkon gjithmonë e më shumë në rritje, konkretisht deri në 30 mijë raste në ditë.  Lidhur me ndjekjen e rasteve, ajo potencoi që është më e lehtë se sa në valen e parë, mirëpo ka edhe pengesa të tjera të cilat u krijuan nga dekreti i ri që ka të bëjë me ndalimin e qarkullimit në mes regjioneve dhe mes qyteteve. Masat janë shtrënguar këtë vend në mënyrë që të mos kemi një mbyllje tjetër të terësishme. Po ashtu numri i madh i mohuesëve dhe injoruesve të virusit po shkakton shumë probleme dhe jo stabilitet në Itali.

Dr. Gani Oruqaj, nga Klinika universitare në Gjermani tregoi që pacientet të cilët i pranojnë dhe i trajtojnë në këtë klinikë, janë raste të cilët kanë nevojë për raspiratorë për shak të oksigjenit të pa mjaftushëm dhe kanë nevojë për një fluks më të lart të tij, intubimin dhe ventilimi mekanik të cilët pasojnë në distresin akut respiratorë. Mundësia më e mire e mbijetësës është për rastet që nuk kanë nevojë për terapi invazive, pasi që rastet me invazion janë me rrezikshmëri më të lartë dhe shansa më të vogla të mbijetesës. 

Z. Arben Domi theksoi që aspektin analitik lidhur me krahasimin e situatës aktuale dhe asaj në të kaluarën, ku potencoi që do të ishte shumë e duhur për tu analizuar gjendja e tanishme me valën e parë të pandemisë. Dhe për t’i parë kështu mangësitë e dështimit ose keq-menaxhimeve. Po ashtu ai shprehi që kjo pandemi ka shfaqur pa aftësinë e sistemit shëndetësor në aspektin organizativ, pasi që shumica e vendim-marrësve janë njerëz të cilët ndonëse janë të specializuar, janë kthyer në burokrat. Sipas tij izolimi ka treguar se nuk është zgjidhja e duhur të ndalohet përhapja e virusit dhe se shkakton dëme më të mëdha.

Dr. Vedat ELEZI, Anesteziolog Reanimator në Francë, tregoi lidhur me menaxhimin që Franca ka aplikuar si dhe kushtet apo kapacitetet në kohë normale ku ky shtet ka 5 mijë shtretër reanimacioni dhe absolutisht është i pa përgatitur për të pranuar dhjetëra apo qindra pacientë.

Shqetësimi kryesor në Francë është, mos përgatitja për rastet e shumta kjo shkaku i kapaciteteve të burimeve njerëzore ku një doktor që duhet të punojë në intenziv,  duhet të përgatitet edhe në emergjencë dhe i duhen 2-3 javë  përgatitje të mënyrës së duhur që të jetë i aftë të menaxhojë situatën me COVID-19. Andaj nëse përhapja vazhdon në këtë mënyrë do të duhet që të shtohen mundësitë të rriten oksigjeno-terapitë pasi që nuk ka mjaftushëm.

 

Dr. Erand Llanaj,Epidemiolog në Hungari, tregoi se imuniteti i tufës është zgjidhje por vetëm në kontekstin e një vaksine, jo infektimit natyral. Ai thekoi që në Shqipëri ka nevojë për infrastrukturë dhe/ose procese peer-review që të bëhen hulumtime në bashkëpunim me doktorët nga diaspora dhe vendet amë. Sipas tij, nuk është bërë mjaftueshëm për komunikimin shkencor me publikun. Dr. Llanaj gjithashtu theksoi qe qeveria Hungareze ka dërguar ventilatorë edhe në Shqipëri duke ndihmuar spitalet të cilat kishin më së shumti nevojë. Po ashtu ai ju bëri thirrje gjithë doktorëve shqiptarë në diasporë që të gjejnë mënyra se si të ndihmojnë vendin amë.

 

Në aspektin e bashkëpunimit të profesionistëve të fushës së shëndetësisë me vendin e tyre amë ata shprehën gatishmërinë të kontribuojnë dhe ndihmojnë vendin e tyre, qoftë në mënyrat online, aspektet këshilldhënëse e qoftë edhe përmes donacioneve dhe pranisë së tyre fizike.

 

Ky projekt organizohet nga GERMIN me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office, përmes platformës “Kosova që duam“, ka për qëllim identifikimin e problemeve dhe nevojave akute të sektorëve kyç të institucioneve kosovare të shkaktuara nga COVID-19, për t’i prezantuar pastaj tek profesionistët dhe palët e interesit nga diaspora më qëllim të shqyrtimit të mundësive për mbështetje dhe asistencë direkte.

Shënim: Të gjitha diskutimet nga takimet virtuale në kuadër të këtij projekti do të bëhen pjesë e një raporti i cili do të dalë me rekomandime konkrete për institucionet vendimmarrëse në Kosovë nga fusha e ekonomisë, shëndetësise dhe edukimit për t’ju përgjigjur krizës së shkaktuar nga COVID-19 me pjesëmarrjen e diasporës.

Leave a Comment