BISEDË E PËRQENDRUAR ME ISH-PRESIDENTEN ATIFETE JAHGAJA DHE VALBONA ZENELI
Konferenca lidere e diasporës shqiptare “Diaspora Flet 2020” u hap me një fjalë përshëndetëse nga dy udhëheqësit e organizatës Germin, znj.Sihana Bejtullahu dhe z.Lirim Krasniqi. Të dy shprehën mirëseardhje dhe falënderimet e tyre për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit e kësaj ngjarje.
Pa humbur kohë, zonja Valbona Zeneli bëri hapjen dhe prezantimin e mysafires së saj, ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga. Dr. Zeneli, e cila është profesoreshë në Qendrën “Gerorge C.Marshall” në Berlin e hapi diskutimin me fjalinë “Diaspora është një thesar kombëtar, mirëpo fenomeni i migracionit po e varfëron Ballkanin”. Sipas saj, mosaftësia e politikëbërjes për të ndërmarrë veprimet konkrete që të nxisin rininë të avancohet në vendin amë, ka bërë që shumë prej tyre të kërkojnë zgjidhje në vende më të zhvilluara.
Presidentja Jahjaga kujtoi momente në të kaluarën që detyruan shqiptarët të largoheshin nga Kosova dhe Shqipëria. Znj. Jahjaga u shpreh se 3 dekada më parë, ata që merrnin guximin që të flisnin kundër regjiimit serb dënoheshin me tortura të ndryshme. Pakënaqësitë ndaj regjimit detyruan shumë të rinj dhe të reja që të largoheshin nga vendi. Por, sipas saj, mungesa e prosperitetit dhe kushteve më të mira, vitet e fundit kanë detyruar poashtu shumë të tjerë të largohen nga vendi i tyre. “Pakënaqësitë vazhdojnë të mbesin të njëjta – mungesë e kushteve të mira të jetës dhe një mirëqenie jo e mirë – por më e keqja është se nuk jemi të alarmuar akoma mjaftueshëm për këtë fenomen dhe tani është koha që t’i marrim këto cështje më me seriozitet dhe të ndërmarrim veprime të duhura.” – tha ajo. Është e vërtetë që migrimi është një fenomen i cili ka prekur tërë rajonin. Statistikat tregojnë që një pjesë e madhe e të rinjve duan të largohen nga vendi i tyre, me qëllim krijimin e një jete më të mirë jashtë vendit amë. Por, sa janë të shqetësuar liderët e rajonit për migracionin?
“Edhe mund të jenë të shqetësuar, por deri më tani nuk kemi pasur mundësi ta shohim këtë shqetësim të tyre. Pandemia COVID-19 ka tërhequr vëmendjen e shumë problemeve dhe prioriteteve në gjithë globin. Problemet me migracionin dhe mirëqenien e qytetarit nuk duhet të neglizhohen dhe nuk kërkohet vetëm vizion, por edhe plane konkrete për migracionin që së pari të analizohen faktorët që po shtyjnë të rinjtë drejt migracionit dhe duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjate për implementim të strategjive” – u shpreh Jahjaga.
Në diskutim u tha se qytetarët po keqpërdoren dhe nuk po trajtohen me dinjitetin që e meritojnë nga politikë-bërësit. Mungesa e inkurajimit dhe dinjitetit midis individëve të edukuar të vendit, po shkakton këtë eksod masiv të intelektualëve i cili tani, po përfshin të gjithë njerëzit të cilët përpiqen që të gjejnë një rrugë jashtë vendit për të përfituar respektin dhe mundësitë për të arritur potencialin e tyre.
Me këtë u pajtua edhe ish-Presidentja Jahjaga e cila tha se elitat politike në vendet si Kosova dhe Shqipëria kanë një mungesë të gatishmërisë për të pranuar problemin e ikjes së trurit. “Kosova ka mungesë të kapaciteteve njerëzore në shumë fusha dhe ekspertët në fushën e mjekësisë, inxhinierisë, teknologjisë duhet t’i ruajmë për veti përmes krijimit të të gjitha kushteve për t’i mbajtur në vend duke filluar nga pagat, kushtet e punës, avancimet në karrierë etj.” – propozoi ajo.
“A mundet një i ri të ndihet i lirë kur është nën kurthin e sistemit, i cili supozohet që t’a ndihmojë individin që të jetë i plotësuar në jetën e tij?” – ngriti si temë Dr.Zeneli duke pyetur se sa kemi bërë që të afrojmë rininë e vendit dhe nga diaspora në politikëbërje. Për këtë, Jahjaga u përgjigj se për fatin tonë të keq, ne nuk kemi arritur të sjellim shembuj të mirë të politikanëve të cilët punojnë në drejtim të ndryshimit të mentalitetit që politika nuk ëshë biznes por shërbim ndaj vendit. “Poashtu politikanët po dështojnë të zhvillojnë komunikimin me të rinjtë – në mënyrë indirekte duke i përjashtuar ata nga angazhimi i tyre dhe sidomos të atyre në diasporë” – u shpreh ajo.
Por, përkundrejt faktorëve shtytës së papunësisë, mungesës së mundësive të punësimit, varfërisë, jetesës së paqëndrueshme – një numër i familjeve në Kosovë, Shqipëri e rajon pranojnë akoma remitanca nga familjarët e tyre në Diasporë. Kjo edhe sikur ka ndikuar që të heq presionin nga liderët tanë për të kërkuar kushte më të mira nga ta. Sipas presidentes Jahjaga ky vakum po përdoret në mënyre më të menqur nga ana e liderëve, duke i lënë pas dore përgjegjësitë e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët e vendit të tyre. Paramendoni nëse në një kohë diaspora nuk dërgon para? Shumë të rinj do të detyroheshin të ndërprisnin shkollim, shumë të tjerë do të ndërprisnin mjekimin e do të kishte shumë pasoja të rënda.
Në fund të diskutimit nuk u harrua të përshëndetet edhe puna dhe angazhimi i presidentes Jahjaga për të mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo dhe shumë të tjerë e kanë thyer heshjten dhe tabunë dhe janë munduar përmes kampanjave senzibilizuese të bëhen zëri i tyre. “Pa paqen e tyre as ne (Kosova) nuk mund të gjejmë paqe”. Diskutimi i mbyll me falënderime dhe përulje ndaj angazhimit dhe kontributit të pashoq të diasporës në zhvillimin e vendeve të tyre amë.
PANEL DISKUTIMI: ANGAZHIMI I DIASPORËS 20 20 – FORCIMI I BASHKEPUNIMIT
Shumë herë është diskutuar dhe vlerësuar roli dhe angazhimi i shqiptarëve në periudhën e çlirimit të Kosovës. Por, çfarë kemi mësuar nga e kaluara? dhe Çfarë sjell e ardhmja në 20 vitet e ardhshme? Cfarë i ka shtyrë shqiptaro-amerikanët që të organizoheshin për çlirimin e Kosovës? Si arritën ata që të bindnin popullin dhe politikën amerikane që kauza për vetëvendosje është e drejtë elementare e një populli? Përgjigje dhe shumë të pathëna u diskutuan në debatin e moderuar nga z. Avni Mustafaj, njëherish edhe Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan – i njohur si NAAC, Ky panel kishte temën Angazhimi i Diasporës 20 – 20 – Forcimi i bashkëpunimit. Panelistë të këtij paneli ishin: Afërdita Rakipi (SHBA), Shinasi Rama (SHBA), Besnik Pula (SHBA), Edita Tahiri (Kosovë).
“Pse u themelua NACC dhe çfarë bëri konkretisht kjo organizatë?” – z.Mustafaj ia parashtroi këtë pyetje koleges së tij znj.Arfërdita Rakipi, e cila dikur me shumë të tjerë ishte anëtare të këtij organizimi. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare, prej vitesh e ka zhvilluar aktivitetin e saj në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur çështjet shqiptare në kongresin dhe qeverisë amerikane. Që nga krijimi në vitin 1996, ky grup është përpjekur për të arritur paqen dhe nxitjen e proceseve demokratike në Ballkan, përmes mbështetjes së politikave demokratike, respektit për të drejtat e njeriut, si dhe përmes programeve të zhvillimit dhe edukimit.
Znj.Rakipi me profesion eksperte e komunikimit, e lindur dhe rritur në Amerikë filloi debatin duke shtjellur në disa hapa themelimin e NAAC dhe se pse ishte i nevojshëm një gjë e tillë.
“Kishte shumë organizata dhe organizime në vitet e 90-ta në ShBA, mirëpo mungonte një organizim i mirëfillët edhe në Washington D.C. për të lobuar për çështjen shqiptare. Ne ishim 10 blloqe nga Shtëpia e Bardhë dhe për herë të parë kishte një zyre në mes të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit dhe lobuesve të tjerë” – u shpreh Rakipi. Së çfarë e bëri të veçantë këtë organizim, ajo tha se ishte pikëpamja e tyre. “Dallimi ishte se nuk është udhëhequr vetëm nga shqiparo-amerikanët, por edhe pikëpamja ishte amerikane dhe ishim shumë të kooordinuar. Ishte një qendër ku mund të merreshin informatat e sakta nga politikanët amerikanë rreth Kosovës dhe se si mund t’i ndihmojmë shqiptarët” – tha ajo.
Znj.Rakipi dhe Z.Mustafa folën edhe për kontributin që ka dhënë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për çështjet shqiptare, si pjësëmarrja në Konferencën e Rambujesë. Ata e pranuan që ishte shumë e vështirë të bindej populli dhe politikanët amerikanë sepse ata hezitonin të ndërhynin. Por, pozita gjeo-strategjike e Kosovës, miqtë politikan të shqiptarëve sikurse z.Eliot Angel, z. Joe DioGuardi, dhe strategjitë gjeopolitike të Amerikës e vunë në pah Kosovën si një vend kyç për të kontribuar në paqe dhe demokratizim.
Një rrëfim tjetër e dha z.Shinasi Rama, një nga studentët më aktiv të lëvizjeve për demokraci në Shqipëri, në vitet 90, themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe profesor në universitetin e Nju Jorkut. Sipas tij delegacioni i Kosovës, për fat të keq nuk e kishte profesionalizmin e duhur dhe për këtë arsye u inkuadruan përpjekjet e diasporës.
“Si Diasporë kemi qenë në gjendje për të ndikuar tek populli amerikan për t’i treguar interesat e shqiptarëve përmes intervistave, konferencave për shtyp, botimeve takimeve, etj. Telefonët tonë nuk pushonin asnjëherë në momentin kur kuptonim që do të merrej ndonjë vendim i rëndësishëm” – tregoi ai. Madje ai përmendi që në zyret e tyre në raste të vështira edhe kanë fjetur në dysheme, vetëm e vetëm për t’i ndihmuar Kosovës. Mirëpo, me krijimin e qeverisë së përkohshme sipas z.Rama, filluan pakënaqësitë dhe armiqësitë. “Ka pasur shumë ndarje ndonëse ne kemi treguar se cila do të ishte rruga më e duhur për t’a ndjekur por nuk na dëgjuan dhe filluam të largohemi” – tha ai.
Kurse znj.Edita Tahiri, një politikane e cila ishte prezente në shumë etapa të zhvillimit politik të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Konferencën e Rambujesë, Konferencën e Londrës, negociatat me NATO, u shpreh se luftën për çlirim e filloi vetë populli i Kosovës. “Ne filluam së pari vetë. 100 vjet është dashur që të arrijmë në këtë pikë, dhe të mos zvogelojmë shpirtjen dhe mendjen dhe të mendojmë që me 10-15 vjet e kemi arritur tek çlirimi. Është një proces i gjatë, për të cilin është dashur një organizim për pavarësi, dhe nuk do të mund të ndryshohej asgjë pa lëvizjet e brendshme për të shfaqur argumentet se pse Kosova duhej të ishte e lirë” – u shpre ajo.
Por, çfarë duhet të ndodhë përsëri që të vëmë në lëvizje diasporën? Si duhet të kthejmë idealin, të njohim dhe të vlerësojmë kontributin e tyre?
Besnik Pula, sociolog dhe profesor në Universitetin e Virxhinas u shpreh se fillimisht duhet të kthejmë bisedën tek zhvillimit që preokupojnë të rinjtë tanë. Lufta për drejtësi dhe nder brenda sistemeve të krijuara në Kosovë dhe Shqipëri të cilat janë të kontrolluara nga nepotizmi dhe korrupsioni, duken si të pamundura. Këta faktorë po ndikojnë edhe në rritjen e diasporës tonë, u shpreh ai.
Në fund, panelistët thanë së shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në Ballkan me zhvillimet e fundit, mirëpo mungon forca e bashkëpunimit. Z.Mustafaj me optizimin e tij u shpreh se “Gjërat do të përmirësohen për shqiptarët sepse gjeneratat reja janë më të mira sesa ne dhe ne kemi një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në Ballkan.”
Në kuadër të Konferencës Diaspora Flet, njerëz me ide kreative dhe histori suksesi përmes prezantimeve të tyre jetësore synuan të inspironin masën duke i stimuluar për të punuar më shumë në promovimin e diasporës si dhe për të gjetur forma për të kontribuar në vendin e origjinës. Dy nga rrëfimet e ditës së parë janë si më poshtë:
SHPRESA LOSHAJ – KANADA
Shpresa Loshaj, e lindur dhe rritur në Deçan, pas luftës në Kosovë zhvendoset në Kanada mirëpo gjithmonë kishte në mendje Grykën e Deçanit dhe se si të kontribuonte për Kosovën. Gjatë udhëtimeve të saja, ajo u vetëdijësua për shumë probleme të popullit të Kosovës sikurse varfëria dhe ndjenjat e pashpresshmërisë që ishin mbizotruese tek populli. Ajo poashtu kishte parë se si në lumin e fshatit ku ajo ishte larë dikur si fëmijë kishte filluar që të thahej sepse përgjatë tij po ndërtoheshin hidrocentrale.
“Iniciativa e parë ishte për mbrojtjen e lumit ku jam rritë pasi që pashë që është tharë dhe në të janë ndërtuar 3 hidrocentrale përgjatë shtratit të tij. Kauza tjetër ka qenë pasioni im, që të dokumentoj kontributin e grave gjatë luftës në Kosovë. Unë nuk e kam parë përkujtimin e kontributit të grave gjatë luftës sa herë që kam ardhur në Kosovë. E kam kuptuar që jo vetëm unë, por edhe shumë gra të tjera të fshatit nuk ndihen të përfshira në kujtimin e luftës dhe që kontributet e tyra po fshihen” – tregoi në detaje ajo. Por, edhe pse të dy angazhimet po i marrin asaj shumë energji dhe kohë, shpirti i saj rebel nuk po e lë që të ndalet. Shpresa tha që shumë shpejt do të ndërtohet një memorial për gratë në fshatin e saj, Carrabreg, por s’e ka ndërmend të dorëzohet deri sa të mbrojë Grykën e Deçanit nga hidrocentralet e ndërtuara në mënyrë jo-ligjore dhe jo të drejtë.
YLFETE FANAJ – ZVICER
Për dallim nga Shpresa Loshaj, Ylfete Fanaj vazhdon aktivitetin dhe jetën e saj në Zvicër. Prezantimin e saj e filloi me këngën “Moj e bukura More”, këngë e cila e kishte shoqëruar gjatë cermonisë së inagurimit të saj si Kryetare e Parlamentit Kantonal të Lucernit.
“E përzgjodha këtë këngë sepse në atë moment më kaploi një mall i madh për vendin e lindjes, dhe poashtu më ka kapluar një respekt i madh për vendin që më dha shumë mundësi, Zvicrën, dhe njëkohësisht më ka kapluar ndjenja e falënderimit për të gjithë ata njerëz që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim. Kënga për mua është simbol i vlerave të shqiptarëve, kurse për të tjerët ka qenë një akt patriotik. Por une i urrej simbolet patriotike, më shumë i dua vlerat e sinqerta shqiptare dhe mundohem që ti gërshetoj me vlerat zvicerane” – tha ajo.
Fanaj në fjalimin e saj inspirues përmendi po ashtu moton e saj “bukë, kripë e zemër”, të cilin e kishte thënë edhe kur e mori mandantin e saj në Parlamentin e Lucernit. Në lidhje me moton e saj, ajo ka përmendur elementet e mikpritjes. Për shembull për të kripa përkujdeset për shijen e bukës, njëjtë sikurse janë debatet në politikë. Dhe zemra na kujton që të përkujdesemi që të bëjme gjithçka me pasion dhe me zemër. E pjekja e bukës është si te puna e politikës: Duhet ta ngjeshësh brumin mirë, të shtosh përbërësit e duhur dhe sasinë e duhur. Nëse bukët nuk dalin siç ke imagjinuar, atëherë duhet të bëni një fillim të ri.
“Unë nuk jetoj në një botë zvicerane të ndarë dhe një botë shqiptare të ndarë, por në një botë unike ku shoh të përbashkëtat para dallimeve” – tha ajo.
OSMAN OSMANI – ZVICËR
Iniciator dhe bashkëthemelues i shoqatës “Pro Integra” (prointegra.ch) – qendrës profesionale për migracion dhe i kompetencës shqiptaro-zvicerane.
Z. Osmani aktiv edhe në jetën shoqëroro-politike: Bartës i mandateve politike: Deputet kantonal (2006 – 2009 / 2015 – 2017) dhe asamblist në qytetin Shafhausen (2013 – 2015). Është bashkë-iniciues e bashkëthemelues i strukturës së migrantëve socialdemokratë të Zvicrës (2011). Që nga viti 2017 është zgjedhur vet i dyti si përfaqësues i migrantëve/eve socialdemokrat/e në drejtorinë ekzekutive të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Ai flet për marrëveshjen ndërshtetërore mes Zvicrës dhe Kosovës, për sigurimet shoqërore, e cila zhvillohej për të gjitha shtetet e dala nga Jugosllavia, por që me vendimin e qeverisë së Zvicrës, në vitin 2010, kjo marrëveshje ndaloi së funksionuari në Kosovë. Kjo bëri që mijëra shtetasë të Kosovës të diskriminohen shumë. Kushdo qe ka dashur të ruajë pensionin e pleqërisë është dashur ta ruajë vendbanimin në Zvicër dhe për ata që ktheheshin në Kosovë nuk lejohej të merrej pensioni. Gjithashtu të vejat e pensionistëve dhe fëmijët e tyre nuk morën asnjë dëmshpërblim. Osmani shfaqi edhe raste konkrete të disa personave me probleme të lartëcekura.
ORI HOXHA – SHQIPËRI
Ori Hoxha, Bashkë-themelues dhe Brand Ambassador, alphaPlan, ndoqi studimet e larta per Bioinxhinieri ne Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, nga ku u diplomua me High Honors. Pas diplomimit Ori kaloi neper disa eksperienca pune, ne korporata te medha si Genentech dhe Illumina, apo edhe ne start up si Protein Fluidics. Tashme “on leave of absence” nga programi elitar Leaders for Global Operations ne Massachusetts Institute of Technology, Ori po ndjek nje sere projektesh ne Tirane per te mundesuar fortesimin e nje ure shkembimi njohurish midis dy lokaliteteve qe kane pervijezuar jeten e tij: Silicon Valley dhe Tirana.
Ai prezantoi “Code for Albania” dhe se si Diaspora Shqiptare ne Silicon Valley ka ndërmarrë hapa konkret për të ndërtuar ura lidhëse midis ballinës së zhvillimit teknologjik mbarë botëror dhe Shqipërisë. Programi Code for Albania jo vetëm që sjell në Tiranë ekspertizën nga Universiteti Stanford, por mundëson edhe ekspozimin e të rinjve të etur për teknologji në vend me ekspertet shqiptarë nga kompani si Facebook, Apple, Splunk etj. alphaPlan është një organizatë jo-fitimprurëse e cila për synim ka rritjen e njohurive për silicon Valley dhe shoqërisë shqiptare në Shqipëri. Në këtë organizatë janë rreth 25 ekspertë nga diaspora. Theksi bie tek zhvillimi i të menduarit kritik tek të rinjtë. Projektet e zhvilluara nga alphaPlan bëhen kryesisht për të rinjtë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe mbështetja e ëndrrave të tyre është qëllim kyç për alphaPlan.
ADELAJDA MATUKA DHE ARIANA KOSOVA – ITALI
Adelajda Matuka, e cila mban poziten e zëvëndëspresidentes së lidhjës së studentëve shqiptaro-italian “Le Aquile – Shqiponjat” dhe nënkryetare e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Itali angazhohet që të rrisë marrëveshjet e bashkëpunimit në mes të Universiteteve Italiane dhe Universiteteve Shqiptare. Që nga fillimi i funksionimit në vitin 2018, Lidhja e Studentëve Shqiptarë në Itali ka arritur marrëveshje bashkëpunimi në mes të Universitetit të Kamarinos për ofrimin e 25 bursave për studentët nga Kosova. Ajo cfarë ka synuar ajo së bashku me ekipin është që organizata Le Aquile të mos jetë vetëm një organizim por edhe familje e cila ofron mbështetje për studentët që shkojnë për herë të parë në Itali. Së bashku me Adelajdën ishte edhe Ariana Kosova një grua me energji të jashtëzakonshme e cila mundohet të forcojë lidhjet identitare dhe të promovojë gjuhën shqipe. Në fjalimin e saj ajo potencoi se dëshira e saj ishte të bëj diçka për studentët shqiptarë që t’ju ofrojë mundësi studimi jashtë vendit që sipas saj ka shumë bursa por pak informacione.
DESAR SULEJMANI – GJERMANI
Është pianist dhe dirigjent me banim në Gjermani por me origjinë nga Shkodra. Ai gjatë fjalimit të tij brenda komponentës së falimeve inspiruese prezantoi dy projekte të cilat i zhvillon prej kohësh. Projekti i parë i quajtur “Europian Summer Music Academy”, i cili zhvillohet që nga viti 2012 në Kosovë. Anëtarët e këtij projekti janë kolegët e Desarit, të cilët vijnë nga Evropa perëndimore dhe lindore, e që vijnë në Kosovë për ta zhvilluar këtë projekt. Për ta profesionalizuar ende me shumë, u krijua projekti i dytë i cili quhet “ Western Balkans Youth Orchestra”, e që është e përbërë nga të rinjtë të cilët merren me muzikë klasike nga Ballkani Perëndimor. Baza e këtyre projekteve është edukimi i popullsisë dhe njohja e historisë nga gjeneratat e reja. Përvec politikanëve të cilët krijojnë politika dhe marrëdhenie me shtetet e tjera, është detyrë morale e shoqërisë që të kontribojë në emancipimin e popullsisë dhe krijimin e paqës në Ballkanin Perëndimor.
ERMAL SULAJ – GREQI
Ermal Sulaj ka ndjekur studimet dhe ka diplomuar në Mardhënie Ndërkombëtare & Shkenca Politike nga Universiteti i Indianapolit (Kampi i Athinës) 2008 – 2013. Mbas mbarimit të studimeve, në 2013 u angazhua me vëllain e tij në krijimin e një kompanie turistike (ATS) të cilën vazhdon ta drejtojë dhe sot. Anëtar i shoaqatës atdhetare “Vëllazërimi” dhe i Klubit të shkrimtarëve “Drita” në Athinë. Në tetor të vitit 2017, përzgjidhet në krye të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (Sot “Komuniteti Shqiptar në Greqi”). Gjithashtu mban postin e sekretarit të përgjithshëm në Forumin Grek të Emigrantëve në të gjithë Greqinë që nga shkurti i vitit 2018. Është edhe përfaqësues i komunitetit shqiptar në Këshillin e Integrimit për emigrantët në Bashkinë e Athinës. Ai gjatë këtij fjalimi tregoi dhe renditi aktivitetet dhe sukseset që i kanë arrituar komuniteti shqiptar falë organizimit dhe koordinimit në mes tyre. Sipas tij, në të ardhmen e afërt pritet që komuniteti i tyre të organizohen dhe integrohen në politikën greke për të marrë pjesë së pari në zgjedhjet komunale e më pas edhe qendrore së bashku si një trup politik i përbashkët.
PANEL DISKUTIMI: PËRFAQESIMI POLITIK I DIASPORËS NË VENDET AMË
Ka disa vite që përfaqësuesit politik në Prishtinë dhe Tiranë i premtojnë diasporës përfaqësim më dinjitoz në institucione, përfshirë ulëse në Kuvend në Kosovë, dhe respektivisht të drejtën e votës në Shqipëri. Por, këto premtime deri më tani nuk janë realizuar. Kanë kaluar 4 vite nga Samiti i Parë i Diasporës dhe dy vite nga Konferenca Diaspora Flet, si dy nga ngjarjet më të mëdha – si kuvende të diasporës – ku është kërkuar që të trajtohet diaspora si pjesë e sistemit politik në vend. Edhe në panelin e organizuar në konferencën Diaspora Flet u ngritën pyetjet si: Kush përfaqëson Diasporën në vendet e amë? Cila është situata me votimin jashtë vendit? Sa e përfshijnë partitë politike Diasporën në programet e tyre? Sa janë të përgjegjshme institucionet shtetërore ndaj diasporës? Sa ndikon diaspora në politikën e vendeve të origjinës?.
Paneli u moderua nga Sihana Bejtullahu (GERMIN), me përbërje të panelistëve si z. Pandeli Majko (Ministër e Shtetit për Diasporën), Liza Gashin (politologe, themeluese e GERMIN), Korab Sejdiu (Avokat), Mark Gjonaj, Këshilltar Bashkiak i Nju Jorkut njëherish edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD), dhe Roland Gjoni (ekspert ligjor dhe politolog).
Gjatë fjalës së tij ministri Majko tha se sot Diaspora jo vetëm në Shqipëri por në gjithë hapësirën shqiptare po kthehet nga një sasi në një cilësi, duke u shprehur se ka nisur numërimi mbrapsht për realizimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
“Tani po diskutohet nga pikëpamja e numërimit mbrapsht, realizimi i të drejtës së votës dhe për shtetasit tanë jashtë vendit dhe mendoj që koncepti i përfaqësimit politik do jetë i ndërlidhur, dhe nuk do të jetë thjeshtë një reklamë apo thjeshtë për të thënë që kemi përfaqësues nga Diaspora në politikë, por kjo e lidhur dhe me një presion pozitiv që do të vijë nga drejtuesit jashtë vendit. Arsyetimi është se përvec fjalëve, politika është matematike dhe shtetasit jashtë vendit do të jenë matematikë. Ata do të jenë votues të rinj dhe do të sjellin hap pas hapi ndryshime në politikën në Kosovë. ”, tha ministri Majko.
Ndërsa Liza Gashi, për dallim nga Ministri Majko, tha se shteti i Kosovës nuk ka financuar mjaftueshëm aty ku ka shqiptarë për të afruar më diasporën dhe për t’i bashkërenduar aktivitet. Sipas saj ka një mungesë të ndërlidhjes në mes të gjeneratave te reja dhe të vjetra rreth rolit dhe angazhimit të diasporës. Për të, është një moment historik që i kemi 3 ministria shqiptarë për diasporën dhe ky momentum duhet shfrytëzuar për të ecur përpara.
“Problemi zakonisht qëndron tek implementimi, dhe gjeneratat e reja kanë nevojë për dashuri, pasion, energji dhe lëvizje për të afruar diasporën. Na mungon koorndinimi dhe alternativa është që të kopjojmë modele te ndryshme si Irlanda, Izraeli dhe India. Duhet të investojmë dhe nuk duhet të pritet pala e 3-të të investojë tek komuniteti jonë, por duhet vetë, sepse janë disa lëvizje në diasporë”, tha ajo. Në këtë panel ishte i pranishëm edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, tani avokat, Korab Sejdiu. Z. Sejdiu, 2 vite më parë në komisionin për legjislacion në Kuvendin e Kosovës së bashku me deputeten Albulena Haxhiu kishin ndërrmarrur një iniciativë për amandamentimin e ligjit për votim jashtë vendit, duke e përshtatur votimin e diasporës në misionit diplomatike jashtë vendit mirëpo sipas tij, ajo se çfarë ndodhi ishte se politikanët e pozitës vendosën që ta mbanin peng këtë projektligj ngase e dinin se nuk mund të kalkulonin në votat e diasporës.
Çfarë duhet bërë që të kemi një koorndim më efektiv në mes të komunitetit jashtë vendit dhe institucioneve? Kjo pyetje u adresua z.Mark Gjonaj, i cili para se të përgjigjej tha se duhet kuptuar se çfarë është diaspora. Sipas tij, diaspora është pasuria më e madhe kombëtare. “Duhet të punojmë për gjeneratat e ardhshme që të ndërtojmë një themel te fortë dhe ka nevojë për lidership. Diaspora duhet të ketë një përfaqësues të vetin në parlament”, u shpreh ai. Kurse për Roland Gjonin diaspora është burim reaksionar por edhe një aset, e cila shihet si dritë shprese por edhe si kërcënim. Për të pavarësisht të drejtës së votës, duhet punuar në ndërtimin e ndërsjelltë të besimit dhe respektit.
Në fund të diskutimit, u potencua se diaspora është mbipartiake dhe se partitë politike nuk duhet të jenë prezente në diasporë por duhet të perfshijnë diasporën brenda programeve të veta qeverisëse. U rekomandua që poashtu të trajtohet tema e pensioneve, ri-atdhesimit, kanalizimi i remitancave e investimet e huaja.
PANEL DISKUTIMI: ARTI DHE DIPLOMACIA
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar dhe të ndërvarur, ku përhapja e teknologjisë së komunikimit masiv siguron që të gjithë të kemi ndaj njëri-tjetrit, një qasje më të madhe se kurrë më parë, diplomacia artistike dhe kulturore është thelbësore për promovimin e interesave dhe vlerave kombëtare, si dhe nxitjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë botën. Numri në rritje i artistëve shqiptarë me ndikim në botë ka krijuar mundësitë për të promovuar kulturën shqiptare si dhe për të ndikuar që vendet e tjera të njohin dhe të promovojnë kulturën tonë gjithashtu. Duke marrë parasysh këtë, ky panel bashkoi tre personazhe shumë frymëzuese, me energji të jashtëzakonshme pozitive për të treguar se si ata e përdorin në mënyrë efektive famën e tyre për të promovuar kulturën dhe vlerat shqiptare. Në panelin e moderuar nga Avni Mustafaj, anëtar i bordit të drejtorve të Germin, Fadil Berisha (fotograf & filantrop), Emina Cunmulaj (modele & filantrope) dhe Ermonela Jaho (soprano), të famshmit shqiptarë, brenda 60 minutave diskutuan dhe ngritën vëmendjen ndaj rëndësisë së diplomacisë dhe artit.
Avni Mustafaj, i ndodhur në korridorin e studios së Fadil Berishës në New York , në vendin ku janë zhvilluar shumë projekte madhore artistike, filloi diskutimin me pyetjen: Çfarë është për ta arti, diplomacia dhe se pse i promovojnë ata vlerat shqiptare?
I pari i cili u përgjigj ishte Fadil Berisha, i cili tha se rëndësia e vizualizimit, pra paraqitja e dikujt është shumë me rëndësi. Për të, mision jetësor ishte që t’i paraqiste të bukur shqiptarët, pavarësisht profesionit të tyre, duke i kërkuar në të gjithë botën për t’i fotografuar dhe për të paraqitur fuqinë e tyre. Kështu, e kujton ai edhe takimin e parë me super-modelen Emina Cunmulaj gjatë një mbrëmje në New York. “Unë i thash, duhet të shkosh të garosh në Miss Albania, dhe ajo u përgjigj: Po, po në rregull”. Së bashku, në një udhëtim në Shqipëri para shumë kohësh, u munduan të frymëzojnë shumë artistë të rinj për të vazhduar ëndrrat e tyre. Ky udhëtim sipas modeles Cunmulaj ishte sikur një shpërthim i vullkanit, duke e bërë atë që të kuptojë fuqinë që e ka dhe të cilën duhej ta përdorte për të tërhequr vëmendjen e të rinjve.
“Përmes fuqisë tonë dhe miliona shqiptarëve ne sjellim shumë dritë, bukuri dhe kënaqësi tek komuniteti” – tha ajo. Cunmulaj poashtu kujtoi momentin e parë që ajo para publikut tregoi që është shqiptare dhe jo jugosllave, siç e kishin paraqitur më parë.
Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, tha se përmes zërit ajo shpreh ndjenjat, sakrificat dhe rrugëtimin e saj si shqiptare në skenën botërore. Ajo tha se kur filloi të këndonte opera si një 18 vjecare, kishte shumë paragjykime për shqiptarët dhe se si një shqiptare mund të këndojë opera. “Jeni më emocionalë kur jeni jashtë vendit. Prandaj, them se arti është diplomacia më e mirë, sepse ne takojmë njerëz nga e gjitha bota dhe përmes punës tonë i tregojmë vlerat dhe ndjenjat e vendit tonë” – u shpreh ajo.
Sipas tyre, prezantimin dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve nepër botë e ndjejnë si një përgjegjësi dhe detyrë, ashtu siç e tha edhe Ermonela “Kur unë prezantohem nuk jam më vetëm Ermonela, është e tërë ajo se çfarë kam prapa çfarë përfaqësoj, pra unë jam shqiptare dhe prezantoj komunitetin shqiptar”. Në fund të panelit, Emina e dha një mesazh për të gjithë ata që mendojnë që ëndrrat e tyre nuk mund të realizohen, ngase përvoja e saj në Shqipëri e ka bërë të kuptojë që shumë vajza nuk shkollohen, martohen herët dhe ëndrrat e tyre u përfundojnë. “ Unë ju them atyre që edhe historia ime ishtë kështu, prindërit e mi donin të më martonin në moshën 15 vjecare, por unë nuk pranova. Jeta nuk është çfarë thonë të tjerët, jeta është ajo çfarë qielli ofron, një hapësirë shumë e madhe që duhet eksploruar”, përfundoi Cunmulaj.
PANEL DISKUTIMI: DIPLOMACIA DIGJITALE DHE PUBLIKE
Kuptimi dhe influencimi i qëndrimeve publike, përtej diplomacise tradicionale të qeverive, ka një rëndesi të madhe në rendin e sotëm botëror. Diplomacia publike mund të përbëjë një faktor thelbësor në pëlqimin, refuzimin apo perceptimin se si një vend, qytetaret dhe politikat e tij mund të ndikojnë dhe të ndryshojnë qëndrimet dhe vendimet e të tjerëve. Çfarë do të thotë Publik (përfshirë këtu përdorimin e burimeve të internetit – Diplomacinë Digjitale) për shqiptarët në shekullin 21? Cila është situata aktuale e shqiptarëve në botën multilaterale, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë? Këto janë disa nga pyetjet që kërkuan përgjigje përmes këtij paneli, ku folës ishin: Ermelinda Kanushi (profesoreshë dhe hulutmuese), Lendita Haxhitasimi (Ambsadore e Republikës së Kosovës në Itali), Drilon Gashi (ekspert në fushën e zhvillimit ndërkombëtar), Ditmir Bushati (ish-Ministër i Punëe të Jashte në Republikën e Shqipërisë), dhe u moderua nga Gëzim Visoka (politolog).
Diplomacia publike në veçanti digjitale janë ndër insitucionet kryesore për të promvuar interesat kombëtare dhe shtetëore. Por, Shqipëria dhe Kosova si shtete dhe diaspora ballafaqohen me shumë sfida dhe ndër to është edhe sfida e promovimit të identitit kulturo-etnik dhe interesat kombëtare.
Në lidhje me këtë ish-Ministri i Punëve të Jashtme, tha se duhet kuptuar qe diplomacia publike është një instrument i butë dhe influencues dhe nuk mund të jetë ekskluzivisht punë e qeverisë e cila zakonisht përdor diplomaci tradicionale. Sipas tij janë 4 elemente shumë të rëndësishme të cilat përdoren në promovim dhe ngritjen e imazhit: 1. E para vjen nga qeveritë duke rrjetëzuar sa më shumë diasporën – pavarësisht politizimit dhe fragmatizmit; 2. E dyta vjen nga vetë-organizimi i shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë dhe presioni i tyre tek qeveritë; 3. Situata e brendshme, sistemi politik dhe politikë-bërja e vendit e cila mund të ndikojë pozitivisht apo negativisht në promovim dhe e fundit 4. Lansimi i lajmit dhe rreziku nga lajmet e rrejshme.
“Të ndërtohet një strategji e cila përfshinë shumë komponente, se si të edukohet brezi i ri, modelet dhe agjentët e ndryshimeve dhe të diskutohet nevoja për një bashkëpunim më të mirë të drejtuesve të komunitetit”, u shpreh ai.
Një tjetër pikëpamje ofroi diplomatja Haxhitasimi sipas këndvështrimit të së cilës, vendet tona duhet të transmetojnë kulturën, trashëgiminë dhe historitë e sukseseve. Sipas saj, Kosova ndonëse një shtet i ri, ka një histori të gjatë dhe të bujshme të cilën mund ta promovojmë përmes artit dhe të përqojmë mesazh tek të tjerët. Si vlerë tjetër e përmendur gjatë fjalës së saj janë edhe burimet njerëzore – pra shqiptarët e sukseshëm nëpër botë. “Mirëpo diplomacia digjitale dhe publike duhet të promovohet së pari nga shërbyesit civil – dhe më pas të jetë një lokomotiv i shoqërisë civile duke e përsosur edhe më shumë. Poashtu duhet të identifikiohen të gjithë personat e suksesshëm jashtë vendit dhe më pas të bashkërendohen aktivitetet në mes të komunitetit dhe shtetit”, tha ajo.
Se shqiptarët jashtë vendit janë shumë të rëndësishëm e potencoi edhe z.Drilon Gashi nga Washington D.C. por, a po i shfrytëzojnë shtetet tona të gjitha kapacitet në maksimum për diasporën?. Sipas tij janë 3 pika të rëndësishme që duhet marrur parasysh në diplomacinë publike. Sipas tij janë këto: 1.Roli i sportiti, artiti, kulturës, historisë, filmit me të cilën njerëzit njihen me vendin tonë; 2.Roli i fuqishëm i institucioneve të shtetit – në sukseset e tyre që po arrijnë në punë; 3.Njerëzit brenda vendit. Por, cfarë roli ka dispora për ti përmirësuar këto 3 pika. Sipas tij, ndonëse diaspora është e larmishme, të gjitha shtresat mund të kontriboujnë përmes kthimit të trurit, avokimit si dhe filantropisë.
Se një ndër mënyrat më të mira për të promovuar vendin është duke besuar se ne e kemi një imazh pozitiv, duke besuar në vlerat që i kemi si komb dhe duke kuptuar se cilat janë pikat tona të forta dhe të dobëta. Këshut tha studiuesja Ermelinda nga Gjermania, Sipas saj një miks i metodave spontane/indivduale dhe të organizuara duhet përdorur për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve kudo në botë.
Ajo përmendi dy lloje të diplomacisë publike të cilat janë: 1.Diplomacia qe bëhet nga një shtet tek vendi tjetër përmes institucioneve si ambasadat; 2.Diplomacia që bëhet nga një komb, këtë rast kombi shqiptar në një vend tjetër, si p.sh fushata ndaj kompanisë Apple për të vendosur Kosovën në hartë një nismë spontane e cila arriti rezultat.
“Në lidhje me diplomacinë digjitale, si glob jemi duke përjetuar një revulucionin digjital dhe në mënyrë institucionale duhet të ndryshojmë karrakterin se si bëjmë diplomaci. Nga ana institucionale do të ishte të nohim se cili është imazhi i shqiptarëve nëpër botë është – një panaromë zyrtare”, tha ajo. Ajo rekomdoi që të bëhet diplometrix për të mbledhur matricat rreth angazhimit dhe promovimit për të përmirësuar imazhin.
Në fund, panelistët rekomanduan që biomi për përmiresimin e imazhit të shqiptarëve kudo në botë është një bashkërendim në mes të qeverisë dhe diasporës, me qëllim që të punohet më shumë në hapjen e mendjeve dhe zemrave tjera.
DISKUTIM RRETH FILMIT “TABLE STORIES”
Në panelin e diskutimit rreth filmit “Table Stories” i cili është në përpunim e sipër, ishin prezent z. Eroll Bilibani, regjisor dhe z.Samir Karahoda, skenarist.
Federata e parë e sportit në Kosovë që pas pavarësisë fiton njohje ndërkombëtare është ajo e Pingpongut. Dy entuziastë lokal e shohin këtë si një mundësi të shkëlqyeshme dhe fillojnë të vetëfinancojnë seancat stërvitore për lojtarët e rinj. Njëri nga ta, pas shtatë vitesh qëndrimi në Gjermani me profesion moler dhe ping pongist profesionist kthehet në Kosovë, me shpresë që vendi pasluftës do të ofrojë prosperitet dhe mundësi të reja për punë.
Filmi bazohet në ngjarjet e vërteta. Edhe pse tregim lokal, pasqyrimi i jetës së përditshme do të analizojë fenomenin me të cilin përballen të gjithë sportistët dhe dështimin e tyre për shkak të mungesës së kushteve elementare për ushtrime.
Filmi është pjesërisht i financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit, dhe është në koproduksion me Televizionin Kulturor Europian ARTE.
Përpos diskutimit rreth këtij filmi, panelistët poashtu biseduan rreth rëndësisë së festivaleve filmike dhe artistike, me veçanti për DokuFestin, i cili është njëri ndër festivalet më të njohura të filmit në vendet shqiptare. Ndër sfidat kryesore që u përmendën ishte poashtu edhe ndikimi i madh i pandemisë COVID-19, që i detyroi ata të organizojnë DokuFestin në mënyrë virtuale e cila për ta ishte mjaft sfiduese dhe me pengesa, mirëpo që në fund ja arritën ta organizojnë në kohë rekorde. Sipas panelistëve është shumë me rëndësi që edhe diasporës t’u ofrohen alternativa atraktive kur ata vizitojnë vendet amë jashtë mënyrës tradicionale.
DISKUTIMI ME AMBASADORËT E SHBA – EKSPLORIMI I KONTRIBUTEVE KREATIVE TË DIASPORËS
Paneli i fundit i organizuar në ditën e parë të konferencës Diaspora Flet ishte diskutimi me Amsadorët e SHBA-së në Kosovë dhe Shqipëri. Në këtë panel interaktiv, Ambasadori i Sh.B.A-ve në Kosovë, SH.T. z. Phillip S. Kosnett dhe Ambasadorja e Sh.B.A-ve në Shqipëri, SH.S. Znj.Yuri Kim diskutuan se si diaspora mund të shfrytëzojë përvojën dhe aftësitë e tyre unike për të mbështetur zhvillimin e vendeve amë. Paneli u moderua nga Behar Xharra (sipermarrës dhe themelues i GERMIN, ShBA).
Roli i Amerikës në Shqipëri, e veçanërisht në Kosovë dhe marrëdhënia në mes këtyre dy vendeve është e vecantë. Që nga viti 1999, qeveria e SHBA-ve ka investuar në Kosovë rreth $2 miliardë, dhe në anën tjetër Kosova vazhdon të njihet si shteti më pro-amerikan në botë. Por, për ambasadoren Znj.Yuri edhe Shqipëria ndan këtë epitet – pra shteti më pro-amerikan në botë. Për shkak të narrativës dhe kontributit të ShBA-së nga vitet e 90’ta, diskutimi filloi me pyetjen se “Çfarë është në mendjen e ambasadorit amerikan kur ndodhë diçka në trojet tona dhe cili është roli i shqiptarëve jashtë vendit në ndryshimin e vendit”. Ambsadori Kosnett filloi diskutimin duke përmendur krizën globale e shkaktuar nga pandemia, duke theksuar së të gjitha vendet janë duke u gjetur mënyra për ta tejkaluar pandeminë në mënyrën më kreative të mundshme. Në këtë drejtim, Ambsadori Kosnett mendon që këtu mund të vihet në pah roli dhe kontributi i Diasporës për të tejkaluar kërcënimet që vijnë nga COVID-19. Ndërsa se çfarë është në kokën e Ambsadorit amerikan, ai tregoi tre prioritetet në raporte në mes të ShBA-së dhe Kosovë, të cilat janë: Paqja, prosperiteti dhe drejtësia.
“Çfarë me befason është të rinjtë e Kosovës, të shkolluar në SH.B.A. që kthehen në Kosovë për të kontribuar. Ne si SHBA e vlerësojmë Kosovën si një storje të suksesit dhe kemi dhënë shumë për të ndërtuar shtetin e Kosovës”, u shpreh ai. Kurse sa i përket diasporës, nuk u lanë pa u përmendur edhe remitancat. Në bazë të përvojës së tij gjatë bisedave të ndryshme ai ka kuptuar që gjeneratat e para dërgojnë më shumë para sesa gjeneratat e dyta. Përtej dërgimit të parave, ai e vlerëson shumë ekspertizën e diasporës – pra kthimin e trurit – për të ndihmuar Kosovën në tejkalimin e tranzicionit ekonomik dhe demokratik. ”Këtu e shoh disaporën që mund të sjellë mendjen dhe ekspertizën e tyre për të ndërtuar Kosovën. Ka shumë njerëz profesionistë nga gjeneratat e reja dhe e vjetra që mund të vijnë në Kosovë dhe jodomosdoshmërishtë të angazhohen në institucione, por mund të japin kontribut në akademi, në universitete, në organizatat dhe kompani të ndryshme”, përmbylli fjalinë z.Kosnett.
Ndërsa në mendjen e Ambsadores znj. Kim janë 3 prioritetet e raporteve SHBA dhe Shqipërinë: Ekonomia, Demokratizimi dhe Drejtësia. Sipas saj nuk ka asnjë arsyje që Shqipëria të jetë një vend i varfër, ngase është një energji e mirë në mes të komunitetitit, por duhet një sistem i rregullt, transparent i cili do të forconte ekonominë dhe drejtësinë. Kurse sa i përket diasporës, ajo e vlerësoi konferencën virtuale si një shembull i shkëlqyshëm në angazhimin e saj.
“Forcimi i ekonomisë është kyç. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për investimet e diasporës. Gjëja e parë kur investitorët vijnë duan të dijnë që paratë e tyre të jenë të sigurta, dhe këtu duhet të fokusohemi. Në anën tjetër, në bazë të përvojës them që depolitizimi i diasporës është shumë i rëndësishëm.
Në lidhje me pozicionimin e rajonit, Ambsadori Kosnett shprehu qartë që Kosova duhet të aspirojë integrimin në Bashkimin Evropian duke ndërtuar marrëdhënie të shëndosha. Sipas tij duhet kuptuar që marrëdhëniet e mira me SHBA-të dhe përkrahja do të vazhdojnë, por Kosova nuk mund të bëhet shetit i 55 i saj sepse lokacioni i saj është Evropa.
“Nuk mund të them se cilat do te jënë politikat për vitin 2021, por administratat nuk ndikojnë në marrëdhënien tonë. Por nuk duhet të mërzitemi që SHBA-të do të largohet nga Kosova”, tha ai. Kurse Ambsadorja znj.Kim u shpreh që administratat e kaluara kanë shfaqur një interesim të madh për Shqipërinë, dhe veçanërisht për Kosovën.
Në fund të diskutimit, Ambsadorët e pytur nësë janë të gatshëm që pas përfundimit të pandemisë të organizojnë një grup të investitorëve dhe filantropëve për të vizituar Kosoën dhe Shqipërinë, të dy u dakorduan që mund ta bëjnë këtë. Z.Kosnett poashtu ishte shumë optimist që të diksutohet një program për kthimin e trurit dhe ndërtimin e një muzeu modern, duke kërkuar qoftë nga Germin apo institucionet qeveritare një plan për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
“Eshtë koha që shqiptarët të zbulojnë fuqinë e tyre dhe askush nuk është mjeshtër në ndërtimin e shtetit përveç juve”, ishte fjala përmbyllës e Amasadores Kim, kurse Ambasadori Kosnett u shpreh se nuk do ta harrojë Kosovën sepse ka birësuar dy qen të rrugës të cilët gjithmonë do t’i ketë pranë vetes.