Një ngjarje e rëndësishme për shqiptarët që gjenden brenda dhe jashtë vendit ndodhi më 21 nëntor në të gjitha trojet tona. U mbajt “Diaspora flet”, një konferencë virtuale, e cila bashkoi figura shumë të rëndësishme të sferave të ndryshme ku shqiptarët kanë shkëlqyer ndër vite si: edukimi, biznesi dhe investimet, teknologjia dhe inovacioni, filantropia etj. Kjo hapësirë virtuale me folës të shumtë ka pasur zëra të rëndësishëm të kontribouesve në vendet tona si: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj.Yuri Kim dhe Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, z.Philip S. Kosnett. Ambasadorët e nxitën Diasporën nëpërmjet kësaj dalje publike të gjejë mënyra për të kontribuar në forcimin e ekonomisë dhe institucioneve demokratike në vendlindjet e tyre.
Ndërkohë mes folësve dhe paneleve të ndryshme të këtyre konferencave një vend i rëndësishëm iu dha edhe gjuhës amë, gjuhës shqipe që bëri bashkë të gjithë bashkëkombësit tanë në një panel me rëndësi të veçantë të moderuar nga gazetarja e njohur, znj.Rudina Xhunga me temën ‘Gjuha Shqipe dhe Trashëgimia’ me panelistë si: Agim Morina, Gazmend Kapllani, Muhamet Idrizi dhe Mimoza Hysa.
Ky sesion që zgjati 1 orë përfshiu diskutime të ndryshme për kontributet që shqiptarët e ftuar në panel kanë dhënë në vendet respektive si: Gjermani apo SHBA. Si dhe ndihmesën që ka dhënë Qendra e Botimeve për Diasporën në Shqipëri për gjithë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit dhe jo vetëm. Në mbyllje të këtij sesioni gazetarja Rudina Xhunga shprehu kënaqësinë e madhe që mori nga moderimi e një konference kaq të rëndësishme.
“Kisha kënaqësinë mbrëmjen e së shtunës të isha në moderimin e sesionit dedikuar gjuhës shqipe gjatë konferencës, “Diaspora flet 2020. Një kënaqësi e veçantë që në 112-vjetorin e standardizimit të gjuhës shqipe të mblidhen ekspertë dhe dashamirës të gjuhës sonë që punojnë e veprojnë në diasporë. Ka ardhur koha që në këtë përvjetor të standardizojmë komunikimin mes shqiptarëve të mrekullueshëm në gjithë botën.”-tha gazetarja.