fbpx
September 2, 2022

Aplikimi për programin e mentorimit “Diaspora për Gratë Ndërmarrëse”

By Germin-6771 Views-No Comment

Organizata Germin fton gratë ndërmarrëse në Kosovë, bizneset e të cilave kanë potencial për rritje dhe eksport të produkteve apo shërbimeve, që të përfitojnë nga programi i mentorimit për një periudhë shtatë (7) mujore nga profesionitët/et e diasporës.

PËRMBLEDHJE E PROJEKTIT:
Organizata Germin me përkrahje të ‘USAID Kosovo Compete Activity’ është duke implementuar projektin “Diaspora për gratë ndërmarrëse”. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi dhe rritja e bizneseve në pronësi dhe/ose të menaxhuara nga gratë në Kosovë, përmes mentorimit dhe rrjetëzimit me profesionistë/e dhe biznese të Diasporës.

Në muajin prill të këtij viti ka filluar kohorta e parë e mentorimit për 20 gra ndërmarrëse nga Kosova të cilat po mentorohen të ndara në grupe nga 10 mentorë nga diaspora.

PROGRAMI I MENTORIMIT:
Edhe në kohortën e dytë Germin do të përzgjedhë 10 profesionistë/e nga Diaspora, të cilët për një periudhë shtatë (7) mujore do të angazhohen si mentorë/e për mbi 20 gra ndërmarrëse në Kosovë, me synimin që këto të fundit të ngritin njohuritë dhe shkathtësitë në të bërit biznes si dhe të gjejnë mundësi për të depërtuar në tregje të huaja përmes rrjeteve të diasporës. Sektorët e preferuar të bizneseve të grave ndërmarrëse nga Kosova për t’u bërë pjesë e këtij programi janë: Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Prodhimi apo përpunimi i Ushqimit; dhe Përpunimi i Drurit.

Përfitimet kryesore për gratë ndërmarrëse nga programi i mentorimit, ndër të tjera, është rritja njohurive dhe shkathtësie rreth:

  • Teknikave të menaxhimit më të mirë të biznesit;
  • Menaxhimit financiar më stabil;
  • Metodave të rritjes së burimeve financiare dhe njerëzore;
  • Qasjes në tregjet e huaja jashtë Kosovës – fillimi i eksportit të produkteve;
  • Përgatitjes dhe organizimit të takimeve Biznesi me Biznesin (B2B) dhe Biznesi me Klientin (B2C);
  • Procedurat e monitorimit dhe vlerësimit të punës së biznesit;
  • Rrjetëzimit me kompani të tjera të profilit të ngjashëm brenda dhe jashtë Kosovës;
  • Brendimi dhe ambalazhimi i produkteve apo shërbimeve;
  • Prezenca dixhitale dhe përdorimi i mediave sociale, etj.

Po ashtu gratë ndërmarrëse të cilat do të jenë pjesë e programit të mentorimit do të kenë mundësi të jenë pjesë e një panairi virtual të dedikuara vetëm për to. Ndërsa  10 gratë më aktive gjatë programit dhe me më së shumti potencial për eksport do të jenë pjesë e një takimi në Diasporë me qëllim të takimeve me biznese të tjera.

SI TË BËHENI PJESË E PROGRAMIT TË MENTORIMIT?

Të gjitha gratë ndërmarrëse të cilat kanë interes të përfitojnë nga programi shtatë mujor i mentorimit duhet të përmbushin kriteret në vijim si dhe të plotësojnë këtë formë.

  • Të jenë të regjistruara në ATK;
  • Të posedojnë numër fiskal/numër unik;
  • Të mos kenë borxhe në ATK;
  • Të jenë biznese me potencial për eksport;

Linkun për të aplikuar e gjeni këtu: https://bit.ly/3h5bcg9