fbpx
Mai 17, 2018

E drejta e Votës për Diasporën dhe Përfaqësimi në Kuvend

By Germin-22511 Views-No Comment

PLANI I VEPRIMIT
MAJ 17-20, 2018

Vota e Diasporës dhe Përfaqësimi në Kuvend 

VIZIONI

Të arrihet pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet nacionale dhe lokale në vendet e origjinës dhe të arrihet përfaqësimi i diasporës duke pasqyruar në mënyrë proporcionale numrin real të diasporës në kuvendet e vendeve të origjinës.

OBJEKTIVAT

  1. Të propozojmë dhe krijojmë mekanizma dhe procedura zgjedhore të qëndrueshme, të kuptueshme dhe për qytetarët të kapshme dhe të pamundimshme, që kontribuojnë në dhe sigurojnë ngritjen e efikasitetit në sistemin e votës së diasporës gjatë zgjedhjeve nacionale dhe lokale në vendet e origjinës.
  2. Të propozojmë modele të drejta dhe proporcionale të përfaqësimit të diasporës në kuvendet e vendeve të origjinës duke u nisur nga domosdoshmëria për të përmbushur detyrimin e përfshirjes demokratike të të gjithë qytetarëve të vendit në proceset politike.
  3. Të arrihet përfshirja e nevojave, mendimeve, vullnetit politik, bindjeve dhe parimeve të diasporës të shteteve të origjinës në proceset parlamentare, duke e integruar elementin e diasporës si një pjesë njëlloj dhe të barabartë të opinionit publik në evaluimin dhe gjetjen e zgjidhjeve politike.
  4. Arritja e zbatimit dhe garantimit nga ana e institucioneve përkatëse të ligjeve të cilat përcaktojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhurpërfaqësuesit dhe për t’u zgjedhur.

HISTORIKU

Përkundër hapit pozitiv në krijimin e Ministrive të Diasporës pjesëtarët e diasporës ndiejnë se më shumë duhet të bëhet që interesat e tyre të përfaqësohen në mënyrë efektive në vendet e origjinës. Pjesëtarët e diasporës gjithashtu ndiejnë se duhet të kenë të drejtë të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në vendet e origjinës. Edhepse disa nga të drejtat janë të garantuara me ligj aplikimi i këtyre të drejtave në praktikë është me probleme të shumta.

Grupi ynë i punës përbëhet nga anëtarë të diasporës nga shtete të ndryshme, të cilët kanë ekspertizë, rrjete dhe përvoja të pasura dhe të ndryshme.

METODOLOGJIA

Grupi punues ka punuar nga nëntori 2017 deri në prill 2018, duke dhënë kontributin e tyre profesional në ndërtimin e këtij plani të veprimit.

Puna grupore është ndarë në dy pjesë:

Faza e parë: Gjatë kësaj pjese u arrit pajtimi i objektivave të grupit gjatë një takimi virtual. Para takimit udhëheqësja e grupit përgaditi pyetësorët (duke modifikuar një model të mëhershëm të përgatitur nga Germin) të cilët ia dërgoi grupit për shqyrtim para takimit virtual. Gjatë takimit virtual u diskutuan sfidat me të cilat diaspora përballet në dy temat e diskutimit: vota dhe përfaqësimi në kuvend. Gjithashtu u diskutuan ide dhe propozime se si mund të tejkalohen sfidat e identifukuara.

Pas takimit Germin ia dërgoi grupit një përmbledhje të diskutimit virtual. Gjithashtu Germin i modifikoi më tutje pyetësorët e përgaditur dhe ua dërgoi grupit për komente para se të finalizohen dhe para se të bëhen publik. Pyetësorët u shpërndanë nëpër media sociale dhe me metoda tjera elektronike për publikun. Përgjegjjet e marrura nga pyetësorët u analizuan nga Germin dhe Germin përpiloi një analizë e cila gjithashtu iu dërgua grupit. Germin gjithashtu ka përgaditur një raport për politikat e përfaqësimit të diasporës në kuvend i cili iu dërgua grupit për komente.

Faza e dytë: Duke marrur parasysh diskutimet virtuale dhe përmes emailave, pyetësorët dhe dokumente tjera të shpërndara nga Germin u hartua ky Plan i Veprimit në konsultim me anëtarët e grupit përmes emailave dhe pas edhe një diskutimi të dytë virtual. Plani do të prezantohet gjatë Konferencës së Diasporës nga 17 deri 20 maj 2018.

PLANI

  1. Të krijohet ekipi për arritjen e ndryshimeve të nevojshme ligjore në vendet e origjinës në mënyrë që votuesit e diasporës që kanë të drejtë me ligj të votojnë në vendet e origjinës t’a kenë mundësinë të votojnë me postë, online dhe nëpërambasada, konsullata dhe vendvotime tjera në vendet ku jetojnë, si në zgjedhjet nacionale ashtu edhe lokale.
  2. Të mundësohet votimi online përmes krijimit të një platforme online për secilin shtet amë. Kjo do të ishte metoda më efikase për votim e cila do të rezultontenë pjesëmarrje më të madhe të diasporës në votime. Platformat do t’iamundësonin të gjithë atyre që kanë të drejtë të votojnë nga jashtë të regjistrohen në platformë dhe të votojnë. Regjistrimi për këtë të bëhet përmes institucioneve të shtetit amë. Për arritjen e kësaj të angazhohet një ekip i cili do të shqyrtoj modelet e shteteve tjera, të bëj propozime rreth arritjes së këtij qëllimi dhe të angazhoj ekspertë të fushave përkatëse duke përfshirë ekspertë të  fushës kompjuterike. Çështjet që duhet të shqyrtohen dhe planifikohen janë përmbajtja, dizajni, siguria e informatave dhe udhëzimet për përdorim.
  3. Lidhur ngushtë me votën e diasporës është regjistrimi i diasporës. Paralel me krijimin e platformës për votim online të bëhet regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë shtetit. Kjo mund të bëhet në të njëjtën platformë si ajo e votës ose ndaras. Kjo të arrihet përmes reklamimit nëpër media të ndryshme dhe angazhimit të personave të punësuar posaçërisht për këtë punë të cilët regjistrojnë personat duke bërë vizita nëpër shtete të ndryshme në botë. Ky të jetë një projekt fillimisht 5 vjeçar dhe me një plan afatgjatë për përditësimin e platformës. Për këtë detyrë duhet një ekip udhëheqës me persona të cilët e menaxhojnë projektin dhe ekip i personave që do të mirreshin me regjistrim. Gjithashtu të bëhet i mundur regjistrimi i diasporës nëpër zyrat e gjendjes civile dhe institucioneve tjera të ngjashme në vendet e origjinës kur pjesëtarët e diasporës vizitojnë vendlindjen.
  4. Të krijohet ekipi për arritjen e ndryshimeve të nevojshme ligjore në vendet e origjinës që të arrihet përfaqësimi proporcional i diasporës me mandate të deputetëve për diasporën në vendet e origjinës. Grupi punues gjithashtu të shqyrtoj modelet e shteteve tjera dhe të bëj propozime rreth arritjes së këtij qëllimi. Gjithashtu të shqyrtohet mundësia e krijimit të një grupi parlamentar si dhe njohja e diasporës si komunitet sic janë komunitetet tjera.
  5. Krijimi i ekipit që identifikon problemet e hasura gjatë votimit dhe që propozon hapa për zgjidhjen e tyre.

Për të lexuar Planin e Veprimit nga Task Forca për të drejtën e votës për Diasporën dhe përfaqësimi në Kuvend, ju lutem klikoni KËTU.