Germin dhe Komuna e Kamenicës nënshkruan memorandum bashkëpunimi për angazhim të diasporës në nivelin lokal. Ofrimi i alternativave të reja dhe një qasjeje më ndryshe për angazhimin e diasporës në nivelin lokal janë synimet e këtij memoradumi, që u nënshkrua më datë 1 gusht 2019, në Kamenicë. Germin dhe Komuna e Kamenicës kanë vendosur të bashkëpunojnë në identifikimin e potencialit investues të Komunës së Kamenicës, dhe promovimin e të gjitha mundësive që ofron ky lokalitet tek investitorët e huaj dhe nga diaspora. Objektivat e këtij partneriteti janë: tërheqja e investimeve nga Diaspora, transferi i dijes, lidhja e tregut vendor me atë të jashtëm dhe promovimi i mundësive të nivelit lokal, përkatësisht Komunës së Kamenicës.
Në kuadër të programeve për angazhimin ekonomik të diasporës në nivel lokal, Germin synon që formatin për tërheqje të investimeve nga Diaspora ta përshtatë dhe realizojë edhe në Komunën e Kamenicës. Objektivat nga kjo marrëveshje do të arrihen fillimisht përmes analizimit dhe identifikimit të sektorëve kyç të ekonomisë dhe zhvillimin e një platforme që promovon mundësitë e Komunës së Kamenicës, të qasshme për palët e interesuara brenda dhe jashtë vendit. Të gjeturat e hulumtimit do të publikohen në një raport të veçantë, ku të gjitha palët apo grupet e interesit do të mund të kenë të dhëna të hollësishme rreth potencialit investues të Kamenicës.
Përfitues të këtij projekti do të jenë qytetarët, forumet/shoqatat e bizneseve lokale, organizatat dhe institucionet e Komunës së Kamenicës të mandatuara për zhvillim ekonomik, si dhe kompanitë me potencial investues nga jashtë dhe nga Diaspora. Kjo marrëveshje u nënshkru gjatë “Ditëve të Diasporës”, duke dhënë edhe një mesazh për gatishmërinë dhe vullnetin për të realizuar projekte konkrete që lidhin diasporën me vendin amë.