[vc_row bg_color=””][vc_column][ish_text_separator tag_size=”h5″]“Fjalët dhe punët e njerëzve të mëdhenj nuk janë sipas vendit e kohës së tyre, ata mund t’i përshtaten çdo kohe dhe çdo vendi.” – Sami Frashëri.[/ish_text_separator][ish_blog_media][vc_column_text]Si shqiptar i rritur në diasporë, me një vit shkollë në gjuhën shqipe në Mitrovicë në vitin 1989, tani më shumë se 10 vite i kam kushtuar gjuhës shqipe në temën e diplomës, në temën e Masterit dhe mandej në temën e Doktoraturës në Universitetin ushtarak në Degën e Pedagogjisë në Hamburg…[/vc_column_text][vc_column_text]Ne 110 vjetorin e Alfabetit të Manastirit dhe 106 vjetorin e formimit të shtetit shqiptar me shpalljen e Pavarësisë, njëra prej shtyllave kryesore të një shteti edhe elementi kryesor për shkëmbim të ideve, koncepteve të ndryshme profesionale dhe ndenjës për një atdhe është gjuha. Që nga Pavarësia e Republikës së Shqipërisë, dhe tani mbi dhjetë vite nga Pavarësia e Republikës së Kosovës, gjuha shqipe nuk ka ndonjë rëndësi apo reformim të veçantë në politikbërje – veçanërisht kur flitet për gjuhën shqipe jashtë mëmëdheut.
Prej reformave të gjuhës shqipe në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit, gjuha shihet si një mjet kryesor i unifikimit të shqiptarëve. Debate shkencore dhe profesionale bëhen gjithmonë nga këndvështrimi i brendshëm dhe shumë pak nga pikëpamja e diasporës. Gjuha si element shoqëror shihet vetëm nga “liqeni i brendshëm” dhe më së larti nga këndvështrimi i pak albanologëve “Eksot” në botë të cilët verës vizitojnë Prishtinën për shkëmbim idesh, por asnjëherë nga pikëpamja e gjeneratave shqiptare të cilët kanë lindur jashtë, si në Turqi, Gjermani apo Amerikë.
Gjuha si element institucional është mjeti kryesor i diplomacisë, i promovimit të vlerave dhe ndjenjave shoqërore, por edhe të ideve të veçanta të një kombi. Është në të njëjtën kohë edhe element kryesor i paragjykimeve edhe përjashtimeve profesionale të diasporës nëpër institucione shtetërore. Nëse vështrohet ndikimi i gjuhëve të huaja në Kosovë, mbizotërimi i shoqërisë shqiptare në të gjitha trojet ka qenë gjithmonë i lidhur me elementet e gjuhës së “okupatorit”, ku si shembull mund të marrim gjuhën turke apo serbe. Ndërsa në fushën shoqërore dhe profesionale, ndikim kanë pasur gjuha angleze dhe ajo gjermane. Por, pse nuk debatohet për gjuhën dhe reformën, ndikimin edhe ardhmërinë e gjuhës shqipe në një debat shoqëror pas një rezultati shkatërrues në PISA? Pse nuk debatohet kur flitet në formën nënçmuese rreth përdorimit të dialektit, çfarë nuk do të mund të ndodhte kurrë ndërmjet një gjermani, zvicerani apo austriaku në gjuhën gjermane?!
Si shqiptar i rritur në diasporë, me një vit shkollë në gjuhën shqipe në Mitrovicë në vitin 1989, tani më shumë se 10 vjet ia kam kushtuar gjuhës shqipe në temën e diplomës, në temën e Masterit dhe mandej në temën e Doktoratës në Universitetin ushtarak në Degën e Pedagogjisë në Hamburg.
Kjo ide erdhi nga frika e inferioritetit në komunikim me shokët e mi në Kosovë, pas ikjes së familjes në vitet e 90-ta kur isha 9 vjeçar, dhe u ktheva në moshën 19 vjeçare për herë të parë. Në studime në Universitetin e Edukimit në Ludwigsburg takova për herë të parë disa studentë shqiptarë të cilët e flisnin shqipen më mirë se unë dhe e pyeta veten: “Pse shokët e shoqet e mi të një gjenerate patën fatin ta mësojnë gjuhën amtare në Gjermani dhe unë jo?!” Kështu e gjeta fushën e hulumtimit e cila quhet: Mësimi plotësues apo tani më tepër Gjuha e prejardhjes (të prindërve) në Gjermani. Kjo nuk lindi nga dëshira shkencore, por si obligim që të mos e humbas një pjesë të identitetit tim dhe të arrij të njëjtin nivel shkencor në gjuhën shqipe si në atë të gjuhës gjermane, të cilën tani e ligjëroj si degë mësimi në shkollën gjermane si mësimdhënës në Hamburg.
Fjalori “Shaci” dhe elementet të tilla me paragjykime janë vetëm një formë e tillë. Por, pse askush nuk merret me çështjen e ofrimit të mundësive të mësimit të gjuhës amtare nga shteti?
Në Republikën e Baden-Württembergit në jug të Gjermanisë, në vitet e fundit kam kualifikuar 24 mësimdhënës në bashkëpunim me entin shkollor të Heilbronnit dhe me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtuttgart për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Republika e Baden-Württemmbergut tani për pesë vite radhazi kontribuon me një shumë vjetore prej afër 30.000 euro për mbulimin e shpenzimeve për afër 36 mësimdhënëse të cilët mësojnë përafërsisht 800 nxënës. Kurse, pala shqiptare ofron shumë pak apo asnjë përkrahje institucionale vetëm në formë të librave falas për mësimin plotësues në vende ku ekziston një Konsullatë apo Ambasadë dhe kështu diasporën lë të vetme me problemet tjera në këtë fushë.
Kjo i bie një rrogë mesatare prej rreth 1,000 euro për mbi 80 orë mësimi për një vit shkollor. Çdo punë në Gjermani të ndihmon të fitosh më shumë para se të bëhesh mësimdhënës për mësim plotësues. Në të njëjtën kohë, shteti i Kosovës humb miliona për dështime të politikës për kompaninë si Bechtel & Enka. Ato para mungojnë mandej për detyra edukative të cilat fëmijët e diasporës e bëjnë viktimë të politikës edukative të sistemit shtetëror.
Për shqiptarët të cilët janë në një nivel të lartë profesional, ky dështim ka edhe një kosto më të madhe. Për secilin krahasim shkencor në një universitet duhet një dëshmi profesionale për hulumtime në gjuhën amtare. Si të bëhet kjo dëshmi profesionale, pasiqë nuk ekziston një dokument shtetëror me të cilin dëshmohen njohuritë gjuhësore për gjuhën shqipe? Në lidhje me këtë kam pasur personalisht përvoja jo të mira gjatë aplikimit për Doktoratë në Hamburg.
Gjuhët e huaja janë të rregulluara sipas Kornizës evropiane për gjuhë të huaja (Common European Framework of Reference for Languages/ Gemeinsamer Europäischer Referenzrahmen für Sprachen) të cilat përfshijnë gjuhën angleze ku njohuritë vlerësohen sipas testit TOEFL edhe në gjuhën gjermane sipas testit “TestDaf”. Përmes vlerësimit mund të bëhet percaktimi i nivelit të gjuhës si për shembull A1 i cili mjafton për bashkim familjar apo C1 i cili kërkohet në Gjermani prej studentëve shqiptarë për studime në Gjermani. Por, si ta dëshmojë një shqiptar në diasporë që posedon nivelin C1 të gjuhës shqipe kur nuk ekziston as edhe një institucion legjitim edhe zyrtarisht i pranuar për të bërë këtë punë? Dështimi i shtetit tregohet këtu. Zyrtarizimi i gjuhës është një kusht i cili duhet të rregullohet urgjentisht edhe për arsye të rrugëtimit drejt BE-së. Ku janë ata përkthyes të certifikuar për Parlamentin Europian të cilët do të bëhen ura kryesore në përkthim të dokumentave zyrtare në shqip apo prej shqipes në anglisht në komisione të Parlamentit Europian?
Në një bashkëpunim me Dr. Lumnije Jusufi, një albanologe të njohur në Gjermani dhe bashkëpunëtore në disa hulumtime shkencore në disa universitete gjermane, së fundi në Universitetin në Berlin është bërë një vlerësim i kostos së mundshme për një klasifikim të tillë. Për tri vite, mund të realizohet një koncept i tillë prej nivelit A1 deri në C2 me një shumë totale prej 350.000 deri 400.000 euro për gjuhën shqipe në Gjermani.
Në bashkëpunim me institucionet shtetërore si me një ambasadë dhe me institucionin me renome të lartë si TELC në Gjermani, e cila ka bërë një gjë të tillë për mbi 14 gjuhë të huaja dhe frekuentohet nga të gjitha institucionet shtetërore gjermane, gjuha shqipe do të arrijë një ndërkombëtarizim të lartë në shtetet gjermanofolëse ku jeton një numër i madh i diasporës. Ky hap do t’i dërgojë vendet shqipfolëse në hartën europiane të gjuhës dhe do t’i mundësojë diasporës një instrument zyrtar për pranimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore. Ky instrument do të bëhet një shtyllë e fortë në shtet ndërtimin shqiptar në dy anët, por edhe në të gjithë diasporën.
Nëse 7 milionë shqiptarë posedojnë një dokument dhe do të bëjnë një pagesë për libra të reja të cilat do të prodhohen për këto sisteme, atëherë do të ketë një vetëfinancim. Ky institucion duhet të bëhet me një fondacion në Gjermani dhe të ardhurat të futen në atë institucion për një zhvillim afatgjatë me një planifikim nga 30 deri 50 vite. Prej të hyrave duhet të paguhen edhe seminare dhe konferenca shkencore në Europë për zhvillimin edhe reformimin e gjuhës shqipe.
Efekti tjetër anësor është edhe interesimi i popujve tjerë për gjuhën shqipe. Por, përveç që gjuha shqipe është duke u popullarizuar përmes muzikës Hip Hop, të gjithë shokët e mi gjermanë do ta kenë një mundësi të mësojnë gjuhën shqipe. Përveç kësaj, për njohuritë e tyre, ata do të pajisen me një certifikatë, me anë të secilës do t’u jepet mundësia të kyçen më lehtë në tregun e punës në Gjermani, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri dhe të kenë një avantazh më të madh në aplikime të ndryshme.
Një tjetër ndryshim urgjent në politikbërje është caktimi i një numri të vendeve të rezervuara të studimeve për shqiptarët e diasporës me korrespondencë në Degën e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës. Këto lloj “bursa” duhet të përcillen me një seminar të ngjashëm si ai “Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare” që mbahet çdo verë në Universitetin e Prishtinës. Studentët shqiptarë, por edhe profesionistë të fushave të ndryshme mund të bëhen pjesë e institucioneve shtetëror në një afat mesatar pas mbarimit të studimeve. Pra, gjuha është mjeti i cili tani përdoret për përjashtimin te shqiptarëve të diasporës edhe pse ata janë të përgatitur mirë profesionalisht dhe akademikisht. Prandaj, me posedimin e një certifikate të gjuhës do të largohen barrierat e tilla dhe shqiptarët e diasporës mund të kontribuojnë kështu edhe më shumë për vendin e tyre.
Sipas Humboldt, humbja e vërtetë e atdheut ndodh atëherë kur humbim gjuhën amtare. Ky proces edhe pse në heshtje, ndodh shumë shpejt dhe është i pakthyeshëm. Ka ardhur koha që në politikbërje t’i kushtohet më shumë vëmendje këtij fenomeni dhe që gjuha të bëhet shtysë kryesore në vendimmarrje para proceseve tjera të cilat kanë të bëjnë me diasporën.
Muhamet Idrizi, i lindur në vitin 1983 në Mitrovicë, është mësimdhënës dhe zyrtar i Shtetit Gjerman për Gjuhën Gjermane, Shkencat Politike dhe Etikë/Filozofi në SHFMU „Schule an der Maretstrasse“ në Hamburg. Tema e Doktoraturës në Universitetin Ushtarak në Hamburg është „Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe në Diasporë – një krahasim ndërkombëtar”. Muhameti është bursist i disa programeve si Fulbright, Fondacioni Robert Bosch edhe Themelues i Shoqatës TASH – Platforma Shqiptaro-Gjermane. Njihet si aktivist i madh, veçanërisht në fushën të edukimit në Gjermani.
Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]