fbpx
Shtator 21, 2023

Në Berlin u prezantua iniciativa pesëvjeçare e Programit për Angazhim Qytetar

Nga Bublina Peni-61 Shikime-Asnjë koment

Gjatë takimit me profesionistë nga diaspora në Gjermani më datë 21 shtator 2023, u prezantua bashkëpunimi me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me theks të veçantë në Programin për Angazhim Qytetar (CEA), një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga KCSF në partneritet me misionin e USAID në Kosovë.

Rreth 50 profesionistë të fushave të ndryshme u njoftuan me mundësitë për të ndarë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, përmes angazhimit afatshkurtër.

Dren Puka, Drejtor për Hulumtim dhe Avokim në KCSF, prezantoi strategjinë e re të Fondacionit, me theks të veçantë planet dhe mundësitë për diasporën. Tek kjo e fundit hyn edhe mundësia e angazhimit të diasporës përmes Programit për Angazhim Qytetar, program ky që synon nxitjen e një kulture të aktivizmit që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe më kuptimplotë.

Puka gjithashtu shtjelloi shkurtimisht historikun e angazhimit në komunitet në Kosovë, që nga vitet 80-ta, 90-ta e deri më sot. Ai theksoi se sot, shoqëria civile ka nevojë për ekspertizë dhe njohuri të reja dhe në këtë drejtim diaspora mund të luaj një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Ndërkohë, Lirim Krasniqi nga GERMIN shtoi se fakti që diaspora jonë jeton kryesisht në vendet me demokraci të mirë-konsoliduar përbën një përparësi dhe potencial të madh.

Kjo pasi që profesionistë nga diaspora mund të kontribuojnë në avancimin e shoqërisë civile në Kosovë përmes sjelljes së praktikave më të mira demokratike, të përfshirjes dhe angazhimit të qytetarëve në jetën publike dhe komunitet.

Këtë takim e përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z. Faruk Ajeti, duke theksuar rolin që diaspora jonë ka luajtur në angazhimin komunitar si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Transferi dhe shkëmbimi i njohurive dhe shkathtësive është pjesë e një prej shtyllave programore të GERMIN. Përmes “Angazhimit të Profesionistëve nga Diaspora” (EDP), ne synojmë të ndërmjetësojmë kontributet profesionale dhe intelektuale nga diaspora në institucione dhe organizata në vendet amë.

Gjashtë profesionistë janë angazhuar deri më tani në organizatat e shoqërisë civile.

Më shumë detaje rreth programit dhe pozitave të hapura mund të gjenden në: https://diasporaprofessionals.germin.org/index

Për organizimin e këtij takimi falënderojmë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin dhe Organizatën e Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Berlin (OASA).