fbpx
Shtator 27, 2021

Ligjëratë me Mentor Dida mbi Lidershipin dhe Mirëqenien

Nga Germin-425 Shikime-Asnjë koment

Të martën, me 21 shtator 2021, GERMIN organizoi ligjëratën e parë në kuadër të projektit “Rrjeti i Organizatave dhe Shoqatave të të Rinjëve” me folësin Mentor Dida.

Ligjërata e fokusuar mbi lidershipin dhe mirëqenien me ligjëruesin Mentor Dida mblodhi të rinjë e të reja nga Kosova dhe nga komuniteti i diasporës. Dida e konsideron veten si ndërmarrës shoqëror dhe ndryshimtar dhe gjatë kohës sa po kryente studimet Bachelor dhe Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëfilloi shumë iniciativa si Sustainability Leadership Kosova, Sfida e Dy Dollarëve në ASU e shumë të tjera. Ai i eksploroi më detajisht të gjitha këto iniciativa gjatë ligjëratës duke ndarë kështu përvojat personale me pjesëmarrësit dhe duke theksuar se si secila përvojë ka ndikuar në formësimin e tij si ndryshimtar dhe në atë çfarë ai është sot.

Mentori ndau edhe përvojat e tij të migrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hapat e parë të orientimit në karrierë dhe jetën në diasporë duke dhënë kështu tërthorazi mësime dhe këshilla praktike për pjesëmarrësit. Tutje, Dida theksoi karakteristikat e një lideri/lidereje dhe se si kjo lidhet me mirëqenien personale dhe kujdesin ndaj vetes dhe cilat janë mënyrat që secila/secila mund të bëjë ndryshime në komunitet duke filluar me ndryshimet dhe sjelljet tek vetja dhe njerëzit përreth. Ligjërata inspiruese dhe motivuese e Mentorit nxiti edhe një diskutim të frytshëm me pjesëmarrësit, të cilët ndanë po ashtu eksperiencat e tyre, planet dhe ëndrrat për të ardhmen.

Me shumë rëndësi ishte edhe ndërthurja e temës me zgjedhjen e Mentorit që të kthehet në Kosovë pas 12 vitesh studime dhe punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontributi që ai jep për Kosovën. Duke qenë që pjesëmarrës ishin edhe shumë të rinjë nga Gjermania, Zvicrra, Norvegjia, Greqia, Belgjika e vende të tjera ku diaspora shqiptare është e fokusuar, diskutimi i hapave konkret se si secili mund të rrjetizohet më bashkëmoshatarë kudo në botë dhe të kontribuojnë kësisoji në vendin amë bartë rëndësi të madhe.

Ligjërata mbi lidershipin dhe mirëqenien u organizua në kuadër të projektit “Rrjeti i Organizatave dhe Shoqatave të të Rinjëve” që mbështetet nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe do të pasohet nga një seri ligjëratash me tema të ndryshme dhe folës nga diaspora e Kosova. Projekti synon rrjetëzimin e organizatave rinore dhe studentore nga Kosova me ato në diasporë dhe ngritjen e kapaciteteve të të rinjëve aktivë në këto organizata.

Shkruani një koment