fbpx
Prill 22, 2022

GRUAJA NGA DIASPORA QË PROMOVOI VENDLINDJEN PËRMES BOOKING.COM

Nga Germin-1260 Shikime-Asnjë koment

12 vjet më parë, Anita Gjidoda dhe motra e saj kishin vendosur të udhëtonin të vetme nga Kroacia, për në Kosovë dhe në Shqipëri. Ndonëse ishin lindur dhe rritur në Kroaci, ndjenjën e atdhedashurisë e kishin të kultivuar që nga fëmijëria. Por ky udhëtim ishte i veçantë për Anitën, për shumë arsye. Asaj i ndryshoi rrjedhën e jetës përgjithmonë. Si një vajzë që adhuronte udhëtimet, ka arritur që pasionin e saj ta shndërrojë në një karrierë të suksesshme për t’i promovuar bukuritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Përveç bukurive natyrore e mikpritjes shqiptare që ishin me bollëk, një gjë kruciale mungonte.

“E vetmja gjë që ne po kërkonim ishte akomodimi në Dhërmi dhe nuk kishte shumë alternativa. Për të pronotuar një dhomë atëherë kishte vetëm dy opsione online”.

Pikërisht kjo mangësi logjistike do e shtynte Anitën që të bëjë diçka më shumë për të promovuar Shqipërinë. Dalëngadalë pasioni i saj për të udhëtuar u zhvillua paralelisht edhe me dëshirën për të promovuar bukuritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Pak kohë pas këtij udhëtimi, fati si duket punoi për të. Agjencia që merret me udhëtime, Booking.com, hapi një pozitë pune për shqipfolës në Zabreg. Kjo ishte një thirrje që për Anitën do të ishte pikë kthese për jetën e saj. Ajo i dha vetës një mision: do e promovonte vendlindjen e saj.

“Ky ishte shansi im për të plotësuar vizionin tim dhe ku ka më mirë se ta bëjë me agjencionin më të madh të turizmit online. Kam filluar të punoj me booking në vitin 2013 dhe kam punuar për pesë vjet”.

Për pesë vjet ajo e bëri të pamundurën që të promovojë online bukuritë e Shqipërisë.

“Ditën kur fillova të punoj për booking, kishim vetëm 50 akomodime online në të gjithë Shqipërinë. Ditën kur u largova në vitin 2018, kishim pesë mijë prona të regjistruara. Tani, kur e shoh Shqipërinë që del si një prej destinacioneve më të kërkuara më bën të ndihem krenare sepse gjithmonë ka pasur steriotipe për vendin tim”.

Këtë histori inspiruese Anita e ndau gjatë konferencës “Diaspora Flet 2020” që organizohet çdo dy vjet nga Germin. Anita është edhe anëtare e bordit drejtues të Germin, pasi këtë gjë e sheh si një mënyrë për të kontribuar për vendlindjen e saj.

Ndiqni fjalimin e saj në këtë link: