Për të matur perceptimet e komunitetit të Diasporës në lidhje me shkëmbimin profesional, OJQ Germin ka zhvilluar një anketë me 206 pjesëtarë të këtij komuniteti. Kjo anketë është zhvilluar nga data 6 deri 22 mars të vitit 2018, dhe është shpërndarë përmes rrjeteve sociale dhe web faqes së organizatës. Pjesa dërrmuese e të anketuarve kanë vend amë Kosovën (54%) dhe Shqipërinë (42%). Një numër shumë i vogël i tyre kanë vend amë Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Gjithashtu, pjesa më e madhe e të anketuarve janë rezidentë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, SHBA-ve, Greqisë, Finlandës, dhe Suedisë.
Pjesa e parë e pyetësorit ka përfshirë pyetje në lidhje kontribuimin e anëtarëve të Diasporës si ekspertë nga jashtë në vendet amë. Siç shihet në figurën e parë më poshtë, pjesa dërrmuese e të anketuarve (74%) deklaruan se nuk kanë kontribuar apo punuar në vendet amë si ekspert nga jashtë. Shumica e të anketuarve që thanë se kanë kontribuar si ekspertë në vendet amë, deklaruan se këtë formë të kontributit e kanë ofruar pas vitit 2000. Gjithashtu, pjesa dërrmuese e të anketuarve (83.5%) nuk kishin pranuar ndonjë ftesë për të kontribuar si ekspertë në vendet e tyre amë.
Megjithatë, siç shihet në figurat më poshtë, anëtarët e Diasporës janë mjaft të interesuar që të kontribuojnë si ekspertë nga jashtë në vendet amë. Të anketuarit që shprehën interesim të jenë pjesë e programit “transferimi i shkathtësive profesionale” gjithashtu u pyetën se në çfarë mënyre dhe periudhe kohore do të donin të kontribuonin. Pjesa dërrmuese e tyre (80%) shprehën interesim të kontribojnë në të dy format,virtualisht dhe fizikisht, ndërsa rreth një e pesta e të anketurave (20%) kontributin e tyre dëshirojnë t’a ofrojnë në mënyrë virtuale.
Për më shumë shihni infografikën, e përgatitur nga Rrotull.com.