fbpx
März 10, 2020

GERMIN TAKON KRYEMINISTRIN KURTI, KRYEPARLAMENTAREN OSMANI DHE ORGANIZATAT PARTNERE NË KOSOVË

By Germin-26631 Views-No Comment

Dje me 9 mars 2020, Organizata GERMIN ka zhvilluar takime me udhëheqësit kryesorë institucional në Kosovë, përkatësisht me Kryeministrin, Z. Albin Kurti së bashku me Ministrin e Integrimit Evropian, z. Blerim Reka, si dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Znj. Vjosa Osmani. 

Në këto takime u prezantua bordi i ri i Organizatës GERMIN i përbërë 100% nga pjesëtarë të Diasporës: Mark Kosmo, udhëheqës i  Fondacionit Global Shqiptar (Boston, Masaçusets, SHBA); Anila Hyka Smorgrav, Drejtuese në Orange Business Services (Paris, Francë); Avni Mustafaj, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC, New York, SHBA); Hilmi Gashi, Përgjegjës Nacional për grupet e interesit në Sindikatën UNIA (Bernë, Zvicërr) Gaspër Sopi, Ndërmarrës (Zagreb, Kroaci); Gazmend Salihi, Ndërmarrës/Inovator (Kopenhagë, Danimarkë). 

Përgjatë këtyre takimeve, u prezantuan synimet e strategjisë së re 4 vjeçare të GERMIN, e cila synon që të thellojë lidhjet e pjesëtarëve të diasporës përmes krijimit të një marrëdhënie mirëbesimi mes komuniteteve, organizatave dhe institucioneve brenda e jashtë vendit, me qëllim të ndikimit në zhvillimin e vendeve amë.

Anëtarët e bordit dhe stafi i Germin kërkuan angazhim nga kryeministri në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe pengesave në angazhimin e diasporës, duke filluar nga eliminimi i barrierave për ushtrimin të drejtës së votës nga jashtë (përmes mundësimit të votimit në ambasada dhe konsullata), angazhimin i profesionistëve në periudha afatshkurtra në Kosovë, ruajtjen dhe forcimin e identitetit kulturor në diasporë, lehtësimin dhe garantimin e investimeve, e deri tek zgjdhja e problemit të kartonit të gjelbër.

Z. Kurti premtoi se do të angazhohet maksimalisht dhe personalisht në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se do të jetë i hapur për bashkëpunim. Ndërkohë, Znj. Osmani falenderoi përfaqësuesit e bordit dhe stafin e GERMIN për vizitën dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim sidomos në fushën e angazhimit të potencialit intelektual të profesionistëve të rinj nga diaspora në Kuvendin e Kosovës përmes një programi shkëmbimi.

Gjatë ditës, GERMIN takoi poashtu organizatat partnere vendore dhe ndërkombëtare si: Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Shoqëria Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Organizata GERMIN, përveç bashkëpunimit me institucionet shtetërore në Kosovë, do të vazhdojë të jetë kritike sa i përket çështjeve që lidhen me diasporën dhe do të kërkoj në vazhdimësi nga institucionet relevante adresimin e pengesave dhe krijimin e programeve që lehtësojnë angazhimin e diasporës, sidomos sa i përket rritjes së përfaqësimit, tërheqjes së ‘trurit’ dhe kanalizimit të remitencave në funksion të zhvillimit.