fbpx
Mai 12, 2021

Përmbledhje: VOTIMI NGA JASHTË VENDIT 2021

By Germin-34761 Views-No Comment

Me 12 maj 2021, organizata GERMIN organizoi tryezën e rrumbullakët ku u publikua raporti i Votimit nga Jashtë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 14 shkurt 2021. 

Në këtë ngjarje ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Avokati i Popullit, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të diasporës, u prezantua raporti i GERMIN për procesin e votimit nga jashtë vendit, ku u theksuan problemet e përsëritura në procesin e votimit nga jashtë, të cilat kanë ndikuar edhe në këto zgjedhje, duke vështirësuar votimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. 

Në hyrje të tryezës, Sihana Bejtullahu prezantoi aktivitetet e GERMIN për avokim mbi votën e diasporës, me theks të veçantë vëzhgimin e procesit të votimit nga jashtë gjatë Zgjedhjeve të mbajtura me 14 shkurt 2021. Duke prezantuar raportin mbi votimin jashtë vendit – 2021, Lirim Krasniqi nga GERMIN theksoi që pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje përmes votës është shumë e rëndësishme për shkak se, ndër tjerash, për një vend si Kosova, përfshirja e diasporës në proceset politike është mjet i rëndësishëm për të mbajtur të forta lidhjet me qytetarët jashtë vendit. Votimi i diasporës është edhe mjet shtesë për ruajtjen e përkatësisë kombëtare dhe shtetërore, gjë që theksohet edhe në raportin e Komisionit të Venedikut për Votimin Jashtë Vendit të vitit 2011. Z. Krasniqi prezantoi kornizën aktuale ligjore për votim nga jashtë, e cila garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët pa dallime përkatësie apo vendbanim. Mirëpo, ushtrimi i kësaj të drejtë nga qytetarët nga jashtë edhe në këto zgjedhje ka kaluar me shumë probleme, duke vështirësuar votimin e tyre. Gjithsesi, pavarësisht afateve të shkurtëra për regjistrim dhe votim nga jashtë, vërehet një trend i rritjes së votuesve nga jashtë, gjë që tregon interesin e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, u shpreh z. Krasniqi. Ai prezantoi të dhënat mbi rezultatet e votimit nga jashtë në këto zgjedhje, ku për herë të parë janë publikuar të dhënat për partitë, kandidatët dhe ndikimin e votave të diasporës në totalin e votave të marra nga to. 

Një element i rëndësishëm që trajton raporti i GERMIN i votimit nga jashtë në këto zgjedhje, është vlerësimi i kostos së votimit nga jashtë. Sipas këtij vlerësimi, kostoja financiare e organizimit të operacionit të votimit nga jashtë për KQZ-në është 6.1 euro/votues, ndërsa për votuesit është rreth 6 herë më lartë apo 35 euro/votues. Në fund, z. Krasniqi prezantoi 3 alternativat e dala nga ky raport për votimin jashtë vendit në Kosovë, duke theksuar përparësitë dhe mangësitë e secilës: Votimi fizik në misionet diplomatike të Kosovës; Zgjerimi i mundësive për votim përmes postës (mundësimi i dërgimit të postës në misione diplomatike: dhe Votimi Elektronik. Të trija këto alternativa sipas GERMIN duhet të shqyrtohen me qëllim të gjetjes së një modeli sa më të përshtatshëm që mundëson votim sa më të lehtë për qytetarët që jetojnë jashtë vendit në Kosovë. 

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se e drejta e votimit nga jashtë është një e drejtë kushtetuese, për ushtrimin e së cilës institucionet përkatëse duhet të ofrojnë mundësitë e nevojshme. Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një raport të detajuar të vitit 2018, drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Z. Qelaj, duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), tha se Votimi Jashtë Vendit nuk është obligativ për shtetet, mirëpo kur ai mundësohet përmes legjislacionit, shteti duhet të marrë të gjitha masat që të ofrojë mundësi të barabarta votimi për qytetarët që jetojnë jashtë shtetit sikurse të tjerët që votojnë normalisht brenda shtetit. 

Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ, shtoi se në këto zgjedhje numri i lartë i aplikuesve dhe votuesve nga jasthë ka vështirësuar shumë punën e KQZ. Ai tha se nga 175 mijë emaile me aplikime, janë printuar mbi 1 milion fletë me dokumente nga aplikimet. Z. Ajmetaj shtoi se “afatet shumë të shkurtra për përgatitjen dhe zbatimin e operacioneve zgjedhore kanë ndikuar në punën e KQZ lidhur me votimin jashtë vendit, sidomos procesi i verifikimit ka ndikuar në shkaktimin e vonesave në operacionet zgjedhore. Ai theksoi se KQZ do të rishikojë problemet e hasura për të gjetur dhe adresuar pengesat dhe për të përmirësuar punën në zgjedhjet e ardhshme. 

I ftuar në këtë tryezë ishte edhe juristi Taulant Hodaj nga zyra ligjore Hodaj & Partners, i cili konsideroi që praktika e deritanishme për votimin jashtë vendit në Kosovë ka elemente të kufizimit të të drejtave zgjedhore të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Një element tjetër ndikues janë edhe afatet shumë të shkurtra, të cilat kanë ndikuar në këtë kufizim. Ai tha, se së bashku me GERMIN, janë duke përgatitur një opinion ligjor për institucionin e Avokatit të Popullit, i cili do të vlerësojë aspektin meritor të shkeljeve të pretenduara dhe potencialisht ta ngrisë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Z. Hodaj tha se është shumë e rëndësishme që të kemi një vendim kredibil nga një institucion shtetëror lidhur aspektit meritor të shkeljeve dhe kufizimeve ndaj të drejtës së votës nga jashtë nga praktikat e deritanishme në Kosovë. 

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), potencoi që fluksi i madh i votuesve nga Diaspora dhe koha e shkurtër për t’u përgatitur për një proces të tillë, e tregojnë nevojën e një reformë të re zgjedhore e cila do të përfshinte tërë procesin, qysh nga hapat e parë të regjistrimit, aplikimit e më pas edhe votimit në zgjedhje nga jashtë vendit mirëpo gjithmonë duke ruajtur integritetin e këtij procesi të ndjeshëm. 

Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim, theksoi që angazhimi i votuesve nga vendi, ka treguar nje interesim te jashtezakonshem dhe rritje shumë të madhe në pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë. Sipas tij, 15% e votuesve nga jashtë nuk kanë pasur asnjë dokument apo lidhje konkrete me shtetin e Kosovës, prej të cilëve shumë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës e të tjerë prej të cilëve kanë pasur vetëm dokumente të UNMIK-ut, dhe këtu kemi hasur në diskriminim ndaj qytetarëve që jetojnë në Kosovë të cilët kanë vetëm dokumente të UNMIK-ut, dhe nuk kanë të drejtë vote me dokumente të tilla. Procesi administrativ dhe teknik i verifikimit ka qenë operacioni i vetëm i cili nuk është përmbyllur në kohë nga KQZ, për cfarë ky institucion duhet të japë përgjegjësi. Poashtu sipas DNV, ky është njëri nga operacionet më të pambrojtura dhe më të cënueshëm nga i gjithë procesi. 

Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherish anëtare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe Diasporë potencoi që projektligji për zgjedhje tanimë përmban plot nga rekomandimet e marra për lehtësimin e procesit të votimit nga jashtë mirëpo nuk ka kaluar në votim tek Kuvendi i Kosovës. Grupi parlamentar i LVV, përmes raportit të fundit nga organizata  GERMIN do të mundohet të përfshijë edhe propozimet e rekomandimet e dalura nga ky raport e t’i aranzhojë ato me projektligjin aktual. 

Muhamet Idrizi, pjesëtar nga diaspora theksoj se debatet e manipulimeve me votën nga diaspora, duhet të shuhet sepse nuk kemi ndonjë vendim të shpalljes së fajsisë nga gjykata në këto zgjedhje. Idrizi kërkoj që shteti i Kosovës në momentin që ka lejuar votën e diasporës, duhet t’a mundësoj votimin për qytetarët nga jashtë vendit me kushte të barabarta si të atyre që jetojnë në Kosovë. Ai bëri thirrje që diaspora mos të bëhet lojë politike dhe të trjatohet si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të vendit, ashtu sic edhe është. 

Hilmi Gashi, anëtar i Bordit të GERMIN si dhe asambleist në Kantonin e Bernit në Zvicërr, prezantoj shembullin se si Zvicrra e organizon procesin e votimit nga jashtë si dhe se sa me seriozitet trajtohet kjo temë atje. Ai bëri thirrje për respektimin e procedurave dhe legjislacionit në fuqi në këtë formë të rrisim besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, e specifikisht në KQZ. Mungesa e transparencës është shqetesim për qytetarët jashtë vendit, me vendimet e ndryshme për pjesëmarrje ose jo në cilke të ndryshme zgjedhore. Në fund i bëri lutje për KQZ se nëse legjislacioni ju lejon disa vendime, mos i përkeqësoni ato me interpretime të ndryshme. Si përfundim të mirret raporti i GERMIN, përvoja e KQZ, dhe e qytetarëve si shembull për përmirësimin e gjithë procesit për zgjedhjet e ardhshme. 

Duke marrë parasysh rëndësinë e diasporës për Kosovën, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve jashtë vendit në vendimmarrje, Organizata GERMIN në Analizën e publikuar në tre gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, ndër tjerash, jep këto rekomandime si alternativa për përmirësimin e procesit të votimit nga jashtë Kosovës

  1. VOTIMI FIZIK NË MISIONET DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 

Ky model votimi kërkon miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht kapitullit 14 (kreu XIV) të këtij ligji. Këto ndryshime janë paraparë në draftin ekzistues të miratuar në Komisionin për Legjislacion gjatë legjislaturës së 6-të dhe nevojitet votimi/miratimi tyre me votën e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Me këto ndryshime vendoset baza ligjore për mundësimin e votimit nëpër ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Por, për zbatimin e tij nevojitet gjithashtu edhe draftimi dhe miratimi i legjislacionit plotësues/dytësor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për realizimin e këtij modeli nevojitet që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të bashkëpunoj me Komisionin Qendor të Zgjedhjeve që të vendos një kod identifikues për shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit në regjistrin civil, sikurse që ekziston kodi për shtetasit që nxjerrin dokumente të Republikës së Kosovës në ambasada dhe konsullata jashtë vendit. Ky model kërkon gjithashtu të shqyrtohet edhe aspekti i përfaqësimit të votuesve dhe gjithë sistemit zgjedhor vendor – aktualisht proporcional kombëtar. Shumë shtete që përdorin këtë model kanë krijuar zona të veçanta zgjedhore për votuesit jashtë vendit dhe kuota specifike të përfaqësimit. Gjithashtu, duhet të specifikohet për cilat lloje të zgjedhjeve lejohet kjo formë votimi pasi që mund të ketë implikime organizative, financiare dhe të sigurisë (p.sh. sistemi me dy raunde në zgjedhjet lokale do të ishte vështirë i realizueshëm përmes këtij modeli jashtë vendit.). 109 shtete aktualisht përdorin këtë formë të votimit nga jashtë. 

 

  1. ZGJERIMI I MUNDËSIVE PËR VOTIM PËRMES POSTËS 

Përveç mundësisë aktuale të votimit, zgjerimi i mundësive për votim përmes postës mund të përfshij edhe mundësinë e dërgimit e postës në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendin rezident të qytetarëve jashtë vendit. Kjo pasiqë afatet e shkurtra shpesh po e pamundësojnë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në kohë në adresë të KQZ-së, prandaj duhet të krijohet mundësia që vota me postë të dërgohet në misionin diplomatik/konsullor në të njejtin shtet, krahas mundësisë për dërgimin e postës në adresë të KQZ-së. Votat përmes postës arrijnë shumë më shpejtë brenda territorit të një shteti. Ndërsa të njejtat, misioni diplomatik apo konsullor mund t’ia dërgojë me postë diplomatike KQZ-së. Kështu do të zgjeroheshin mundësitë aktuale të votimit dhe procesi do të përshpejtohej. 

Poashtu, formave aktuale të aplikimit për regjistrim si votues nga jashtë vendit, rekomandohet t’u shtohet edhe një platformë elektronike në uebfaqen e KQZ-së e cila do të mundësonte aplikimin online për regjistrim (web-based). Një platformë e tillë do të: (1) lehtësonte dhe thjeshtësonte në krahasim me formën aktuale manuale duke qenë se nuk do të kishte nevojë për printim/plotësim të formularit; (2) zvogëlonte mundësitë e gabimeve në futjen e të dhënave, duke qenë se ajo mund të konfigurohet që të mos pranojë të dhënat e gabuara dhe aplikuesit do të mund të korrigjonin të dhënat e tyre; (3) menjanonnte mbingarkesën e e-mailit zyrtar të KQZ-së që ka qenë problem në zgjedhjet e kaluara. 

  1. VOTIMI ELEKTRONIK 

Votimi elektronik nga diaspora do të ishte i shpejtë dhe efikas. Sidoqoftë, tekonologjia informative, infrastruktura dhe masat përcjellëse të sigurisë paraqesin sfida serioze për zbatim të sukseshëm. Ndërhyrja nga akterë të jashtëm në procesin zgjedhor, siç ka ndodhur në disa vende, paraqet një rrezik të lartë për manipulim të rezultateve. Votimi elektronik është posaçërisht i rrezikuar nga hakingu apo manipulimi digjital. Përgatitja e një sistemi nga zeroja që do të mbronte informatat e votuesve dhe transmetimin e të dhënave është e komplikuar. Poashtu, nevojitet një kornizë ligjore për caktimin e kriterve për identifikimin e votuesve (për shembull lexues smart të letërnjoftimeve) që do të përdorinin votimin elektronik. Estonia është një shtet ku një e katërta e votuesve përdorin internetin për të votuar dhe mund të shërbejë si shembull studimi i mundshëm për Kosovën për të vlerësuar potencialin dhe sfidat e votimit elektronik. 

Publikimi i këtij raporti dhe organizimit të kësaj tryeze u mbështet nga Ambasada Zvicerane, programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’ bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Partner i këtij projekti është edhe Fondacioni “Friedrich Ebert (FES)” – Zyra në Prishtinë. Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjsi e GERMIN dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF, SDC, Sida apo FES.