fbpx
Dezember 22, 2022

Kur mësimet nga diaspora aplikohen në Kosovë

By Germin-9761 Views-No Comment

“Xhevdet nuk është emër i Danimarkës por i Kosovës”. Kështu shprehet me një lloj krenarie kur Xhevdet Veseli pyetet për identitetin e tij dhe për vlerën shpirtërore që ka për të, kontributi për vendlindjen e tij.

“Është një obligim kur ke lind këtu që të provosh të dhurosh diçka që ke mësuar nga Danimarka”

Xhevdeti ka lindur në Gjilan por gjatë kohës së luftës kur ai ishte vetëm 5 vjeç, familja e tij emigruan për në Danimarkë. Pas largimit të tyre, ndonëse lufta përfundoi ata nuk kishin mundësi të vinin në Kosovë për plotë një dekadë. Malli për vendlindjen e ka bërë familjen e tij, që të lidhet edhe më shumë për vendlindje.

“Nuk kemi pasur mundësi të kthehemi në Kosovë për afro 10 vite. Prindërit e mi janë arsyeja që më kanë bërë të lidhem me gjuhën, kulturën, ushqimin e muzikën shqiptare. Ata janë arsyeja pse unë nuk e kam humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën”.

Xhevdeti u shkollua për menaxhim financiar dhe tani punon si Menaxher Financiar në Ministrinë e Tatimeve në Danimarkë. Prandaj, me këtë bagazh profesional dhe me dëshirën e pakusht për të kontribuar në Kosovë – ai nuk pati asnjë dielemë kur pa një thirrje nga GERMIN, që të vijë në vendlindje e të jap kontributin e tij.

Ai është i angazhuar si profesionist në Komunën e Prishtinës.  Angazhimi i Xhevdetit në Prishtinë, lidhet me dhënien e këshillave dhe sugjerimeve në lidhje me menaxhimin financiar.

“Ideja është se si liderët të mund t’i rialokojnë resurset gjatë vitit. Janë më shumë rekomandime se si të përcillet një buxhet”, thotë ai.

Kontrata e tij e nënshkruar me GERMIN në kuadër të projektit “Angazhimi i Profesionistëve nga Diaspora në Kosovë”, i mbështetur nga Caritasi Zviceran në Kosovë – zgjatë tre javë.

Edhe Neritan Hoxha ka qenë i angazhuar si profesionist në Komunën e Podujevës. Për dallim nga Xhevdeti, ai ka lindur në diasporë. Prindërit e tij emigruan për në Gjermani në fillim të viteve 1990 dhe që nga ajo kohë jetojnë atje. Neritani e flet dhe shkruan shqipen sikur të ishte rritur në Kosovë. Arsyeja sipas tij, janë vizitat e shpeshta në Kosovë.

“Ka qenë mirë që ne vazhdimisht prej pas luftës kemi ardh çdo vit në Kosovë. Ndonjëherë ka ndodhur që kemi ardhur dy-tri herë në vit. Ndodhte që vija dhe qëndroja për dy-tre muaj, prandaj edhe e flasë gjuhën sikur të isha rritur këtu”.

Neritani në Gjermani ka përfunduar studimet Bachelor dhe Mastër për Shkenca Kompjuterike, ku edhe ka kryer specializimin për sistemet komplekse të softëereve.

Edhe ai nuk kishte asnjë dilemë që duhet të vinte e të kontribuonte në Kosovë, prandaj aplikoi menjëherë kur pa thirrjen e hapur nga GERMIN. Puna e tij lidhej me zhvillimin e një aplikacioni që do integrohet në webfaqen e Komunës së Podujevës, ku do të shihen në detaje informatat për të gjitha shkollat e kësaj komune.

“Nëse klikohet njëra shkollë të dalin të dhënat e asaj shkolle. Për shembull, kur është ndërtuar, a ka sallë sportive, a ka kabinet të shkencave etj”.

Përveç këtij projekti, Neritani ka punuar edhe në një projekt të dytë që është i ngjashëm me të parin. Apliacioni i dytë është për fshatrat e Komunës së Podujevës.

“Aplikacioni i dytë është për fshatrat ku ka detaje sa sa etincitete jetojnë aty, sa banorë janë, pikat turistike etj. Kjo mund të ndihmojë edhe shumë anëtarë të diasporës të cilët dëshirojnë të vizitojnë pika turistike dhe mjafton të klikojnë p.sh ‘ujëvara’ dhe aplikacioni i gjen fshatrat me ujëvara.”

Sipas Nertianit ky aplikacion mund të jetë shumë lehtë i aplikueshëm edhe për komunat e tjera të Kosovë. Gjithë çfarë duhet të bëjnë ëshë që t’i dërgojnë të dhënat e tyre.

Të dy këto projekte janë realizuar në kuadër të angazhimit një mujor të Neritanit.

Gjithë ata anëtarë të diasporës të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në Kosovë, tanimë kjo gjë është shumë më e lehtë.

GERMIN ka lansuar platformën digjitale të Programit për Angazhim të Profesionistëve nga Diaspora. Përmes kësaj platforme, ne synojmë që të bëjmë angazhimin e profesionistëve nga diaspora në vendet e origjinës. Programi aktualisht mundëson angazhimin afatshkurtër, duke filluar nga 3 javë deri në 6 muaj.

*Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë -MARDI” që zbatohet nga  Caritas Switzerland in Kosovo në partneritet me GERMIN.

Lexo për profesionisten nga diaspora të angazhuar në një nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.