fbpx
Janar 12, 2021

PETICION KUNDËR VENDIMIT TË KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE PËR VERIFIKIMIN ME TELEFON TË APLIKACIONEVE PËR VOTIM JASHTË VENDIT

Nga Germin-2261 Shikime-Asnjë koment

Me datë 11.01.2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë një vendim Për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim Për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës. Pika III e këtij vendimi përcakton mënyrën e verifikimit të aplikuesve për regjistrim si votues jashtë Kosovës si vijon: KQZ-ja do të verifikoj procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit; Pika IV e këtij vendimi vijon: Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij refuzohet.

Konsiderojmë që ky vendim i KQZ-së nuk është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenet 22, 45, 53, 55; Ligjin Nr. 03/L-073 Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Rregullat e KQZ-së që e përcaktojnë në mënyrë më të detajizuar procesin zgjedhor, Procedurën për Vlerësimin e Kritereve të Zotësisë Juridike për Fitimin e së Drejtës së Votës për Votimin Jashtë Kosovës dhe as instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Gjykata Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut përcakton se kur shtetet ua mundësojnë të drejtat zgjedhore qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, atëherë ato duhet të sigurojnë zbatimin e këtyre të drejtave në mënyrë të plotë, përkundrazi bëjnë shkelje të nenit 3 të Protokollit Nr. 1 të KEDNj-së. Prandaj, përderisa ligjet e Republikës së Kosovës parashohin ushtrimin e të drejtave zgjedhore për shtetasit jashtë vendit, ligjet dhe aktet tjera normative që e rregullojnë procesin e votimit jashtë vendit do të duhet të sigurojnë zbatimin e këtyre të drejave në mënyrë të plotë, duke iu nënshtruar në veçanti kërkesave kushtetuese.

Qytetarët të cilët aplikojnë duke plotësuar formularin për aplikim të KQZ mund të mos jenë të qasshëm për kontakt përmes telefonit në momente të caktuara për shkaqe teknike që dalin jashtë përgjegjësisë së tyre. Rrjedhimisht, vendimi i KQZ-së (datë 11.01.2021), përkatësisht pika IV mund të krijojnë kushte të refuzimit të aplikacioneve për regjistrim për votim nga jashtë për arsye që nuk janë përgjegjësi e votuesit, duke shkaktuar shkelje të të drejtave zgjedhore të garantuara me nenin 45.

Prandaj, ju ftojmë ta nënshkruani këtë peticion përmes së cilit do të kërkohet ndryshimi i vendimit të KQZ-së (i datës 11.01.2021).

Organizatat mbështetese:

GERMIN (Kosovë)

ODA Hamburg e.V. (Gjermani)

Yjete e Kosovës Emmendingen (Gjermani)

Shoqata Pavarësia Stuttgart (Gjermani)

Dardania Bamberg (Gjermani)

Fondacioni BESA (Gjermani)

Fondacioni Global Shqiptar (ShBA)

BashkëRi (ShBA)